Irani lëshon breshëri raketash dhe vret të paktën tetë persona në Izrael, Katz: Banorët e Teheranit kanë për ta paguar së shpejti

Irani lëshon breshëri raketash

Tensionet në Lindjen e Mesme po përshkallëzohen me një ritëm të pandërprerë, me Iranin që po përgjigjet me një breshëri të re sulmesh me raketa kundër Izraelit, duke vrarë tetë persona dhe duke dërguar rreth 300 të tjerë për ndihmë mjekësore mëngjesin e kësaj të hëne.

Diktatori arrogant i Teheranit është kthyer në një vrasës frikacak, që qëllon shtëpitë e civilëve në Izrael në mënyrë që të pengojë ushtrinë tonë për të vijuar sulmet, të cilat po shkatërrojnë aftësitë e tij. Çmimin do ta paguajnë banorët e Teheranit, dhe së shpejti,” reagoi ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz, duke iu referuar udhëheqësit iranian Ali Khamenei.

Sulmet e Iranit shënjestruan një rafineri nafte izraelite dhe dëmtuan një pjesë të rrjetit elektrik.

Shpërthimet tronditën qytetet kryesore izraelite, përfshirë Tel Avivin dhe qytetin portual të Haifës, ku u plagosën rreth 30 persona.

Sulmet iraniane erdhën menjëherë pasi Izraeli nisi sulme ndaj bazave të raketave tokë-tokë në Iran dhe vrau shefin e inteligjencës së forcave të armatosura të Iranit.

Të paktën 224 iranianë janë vrarë në sulmet ajrore izraelite që nga fillimi i armiqësive të premten, me 90% të viktimave që raportohet se janë civilë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të Iranit. Të paktën 24 persona janë vrarë dhe me qindra kanë mbetur të plagosur në Izrael.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka thënë se shpreson që Izraeli dhe Irani të arrijnë një marrëveshje, por se ndonjëherë vendet duhet të “luftojnë”. Mediet amerikane raportuan se Trump hodhi poshtë një plan izraelit për të vrarë udhëheqësin suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei.

Sulmet vijnë ndërsa udhëheqësit e G7 mblidhen për një samit në Kanada, ku të gjithë sytë do të jenë tek Izraeli dhe Irani.