Investime në Rrethina të Shkodrës – Rruga “Hysaj” në fshatin Golem po merr një pamje krejt tjetër

Bashkia Shkodër ka nisur investimin në rrugën “Hysaj” në fshatin Golem në Njësinë Administrative Rrethina, një prej lagjeve më të vjetra të zonës, ku prej dekadash mungonte infrastruktura bazë.
Kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, ka inspektuar nga afër punimet në këtë zonë të këtij fshati i cili, falë këtij investimi, merr tashmë një pamje krejt tjetër. Kryebashkiaku falenderoi banorët për bashkëpunimin e vetë banorëve të cilët kanë liruar hapësirat për t’i dhënë mundësi që rruga të jetë e ndërtuar në standarte.
Janë në total 13 mure rrethuese të cilat janë shembur në dakordësi të plotë me komunitetin, ndërkohë që paralelisht do të punohet edhe për zhvendosjen e shtyllave të energjisë elektrike që pengonin zgjerimin e rrugës.
Projekti, i cili po zbatohet për herë të parë në këtë zonë, është një përgjigje e shumëpritur ndaj kërkesave të komunitetit dhe synon të përmirësojë ndjeshëm cilësinë e jetës në këtë zonë të Shkodrës.