Interpelanca për rekomandimet e Avokatit të Popullit/ Blushi: Trajtim çnjerëzor ndaj ish-presidentit Meta. Lamallari: Nuk ka hetim disiplinor për punonjësit e IEVP

Blush

Kreu i grupit parlamentar të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi në fjalën e mbajtur nga foltorja e Kuvend në interpelancën e kërkuar me Ministrin e Drejtësisë, Besfort Lamallari, kërkoi nga ky i fundit informacione mbi masat që janë marrë mbi rekomandimet e Avokatit të Popullit për gjendjen në burgje.

Ai u ndal konkretisht te arrestimi i Presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, të cilin e konsideroi si një rrëmbim mafioz, duke theksuar se rekomandimet e Avokatit të Popullit flasin pikërisht për trajtimin çnjerëzor të ish-presidentit të vendit.

Blushi theksoi se Meta vijon të mbahet në izolim ekstrem pa prova penale, ndërsa kërkoi të dinte nga Ministri i Drejtësisë se çfarë masash janë marrë për zbatimin e rekomandimeve të Avokatit të Popullit dhe nëse është bërë hetim administrativ ndaj drejtuesve apo personelit të IEVP Jordan Misja.

“Nga një anë ju shpallni amnistinë si mjet për të shfryrë mbipopullimin në burgje, e nga ana tjetër miratoni burgimin për parkimin dysh duke goditur qytetarët më të pambrojtur.

E gjitha kjo ndodh në një realitet ku 251 anëtarë e drejtues të bandave kriminale në vend enden sot të lirë mes tyre dhe një killer që u largua nga spitali i Durrësit.

Sot Shqipëria mban një rekord të zi dhe të turpshëm, jemi i vetmi vend anëtar i NATO-s me të burgosur politik.

Meta u rrëmbye dhunshëm nga banditë të maskuar dhe armatosur. U tërhoq zvarrë në mes të ditës dhe u fut me forcë në një automjet privat duke u mbajtur peng përreth 2 orë”, deklaroi Blushi.

Prej 3 muajsh avokati i popullit ju ka lënë mbi tavolinë 9 rekomandime të detyrueshme për zbatim për dhënien fund të trajtimit çnjerëzor të z.Meta të cilin e rrëmbyet në mënyrë mafioze dhe vijoni e mbani në izolim ekstrem pa provë penale”, deklaroi Blushi.

Nga ana e tij, Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari sqaroi se raporti i Avokatit të Popullit është përgjithësues dhe nuk përdor termin “trajtim çnjerëzor apo degradues”.

Lamallari shtoi se raporti i AV, ndalet kryesisht te rekomandimet mbi zbatimin korrekt të ligjit për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe paraburgosurve dhe jo për shkelje konkrete apo përgjegjësi individuale.

“Opozita flet në emër të drejtësisë si prokurore dhe gjyqtarë për kundërshtarët politikë dhe mban interpelanca për frymëzuesit e partive të  tyre duke dashur ti heqin nga duart e drejtësisë. Të bëhemi bashkë dhe të gjejmë gjuhën e përbashkët për të përmirësuar kodet, për të ulur marzhet e dënimit të cilat për fat të keq trashëgojnë një mendësi të një kulture politike ndëshkuese represive. Ky është angazhimi im si Ministër drejtësie, si qeveri që të sjellim Kodin Penal dhe Kodin e procedurës penale sipas rekomandimeve të KiE dhe standarteve të BE-së.

Është një rekomandim përgjithësues. A është njohur Ministria e Drejtësisë me përmbajtjen e plotë të rekomandmeve të Avokatit te Popullit lidhur me pretendimet për trajtim ç’njerëzor dhe degradues? Po Ministria e Drejtësisë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve janë njohur plotësisht me rekomandimet e Avokatit të Popullit.

Bëhet fjalë për rekomandime përgjithësuese mbi zbatimin korrekt të ligjit për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe paraburgosurve dhe jo për një raport që konstaton shkelje konkrete apo përgjegjësi individuale në rastin e shtetasit në fjalë. Raporti nuk konstaton dhe nuk përdor termin trajtim çnjerëzor apo degradues”, theksoi Lamallari.

Pyetjes se cilat masa janë marrë për zbatimin e rekomandimeve, ministri iu përgjigj duke thënë se momentalisht janë në proces shqyrtimi nga strukturat përgjegjëse të sistemit të burgjeve.

Ai sqaroi se Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka kërkuar informacion të detajuar nga IEVP Jordan Misja dhe ka forcuar mbikëqyrjen administrative me fokus parandalimin e çdo praktike që mund të interperetohet si cenim i dinjitetit njerëzor.

“Rekomandimet e raportit janë në proces shqyrtimi dhe po analizohen nga strukturat përgjegjëse të sistemit të burgjeve.

Paralelisht drejtoria e përgjithshme e burgjeve ka kërkuar informacion të detajuar nga IEVP Jordan Misja dhe ka forcuar mbikëqyrjen administrative me fokus parandalimin e çdo praktike që mund të interperetohet si cenim i dinjitetit njerëzor.

Ky proces është substancial dhe synon përmirësimin sistemik në çdo IEVP për të sjellë një përmirësim më të ndjeshëm për të gjithë të paraburgosurit”, deklaroi ai.

Në përfundim të fjalës së tij, ministri theksoi se nuk ka asnjë hetim administrativ ndaj drejtuesve apo punonjësve të IEVP Jordan Misja, pasi sikurse sqaroi ai “S’mund të kërkojmë përgjegjësi disiplinore pasi vetë raporti nuk del me gjetje të tilla dhe aq më pak të kërkojë përgjegjësi disiplinore”.