Interpelanca për prishjet e ndërtimeve pa leje, Koçiu: Zero tolerancë! Procesi, jo selektiv, por i bazuar në ligj
Ministrja e Brendshme, Albana Koçiu, zhvilloi interpelancën e kërkuar nga kreu i partisë “Mundësia”, Agron Shehaj, në emër të kryeministrit Edi Rama, i cili nuk ishte i pranishëm në seancë. Shehaj akuzoi qeverinë për prishje selektive të ndërtimeve pa leje, duke pretenduar se aksioni po godet më të varfrit dhe jo “zaptuesit e vërtetë”.
Në fjalën e saj, ministrja Koçiu mohoi kategorikisht akuzat dhe theksoi se operacionet për prishjen e ndërtimeve të paligjshme janë të bazuara vetëm në ligj. Sipas saj, qeveria po ndërhyn në zonat me potencial të lartë turistik dhe në hapësira të mbrojtura, ku paligjshmëria rrezikon zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.
“Trashëguam një vizion të ndërtimeve pa kriter, pa hesap me mandat për të shkatërruar dhe zaptuar çdo tokë. Në këtë vizion, ishte qeveria ajo që i bënte thirrje qytetarëve të ndërtonin pa leje ku të mundnin, pak punë prishte fakti nëse ajo ishte toka e dikujt tjetër. Prandaj dhe operacione të tilla, si këto të kthimit në ligjshmëri, të territorit, ju duken të çuditshme dhe kërkoni informacione për t’u sqaruar lidhur me çështje që s’kanë nevojë fare për sqarim. Mua më duket shumë e çuditshme që sot ka deputetë edhe nuk besoj se do të ketë ndonjë deputet në ndonjë parlament tjetër, që i kërkon sot llogari qeverisë se pse po prish ndërtime pa leje apo ndërtime jashtë lejes së dhënë.
E thënë kjo, është vizioni i kësaj mazhorance, ai që u vu në zbatim që ditën e parë të qeverisjes duke nisur nga Rilindja Urbane e çdo qyteti që i ka dhënë frymë dhe jetë vendit duke vazhduar me Gjirokastrën, Korçën, Beratin, Krujën, Lungomaren e Vlorës, Alpet, me Tiranën, etj. Është vizioni i kësaj mazhorance ai i turizmit dhe zhvillimit të qëndrueshëm. Patjetër që ka kritere, prioritete dhe më vjen keq që në mungesë të një argumenti është ngritur një “thriller”, i tipit, ngrihemi në mëngjes, marrim Policinë e Shtetit, IKMT edhe, meqë s’kemi si e shtyjmë ditën, shkojmë e prishim ca ndërtime. Sipas këtij thrilleri, nuk ka kritere dhe prishjet janë selektive, sipas interesit momental. Por, e vërteta është se kriteret janë jashtëzakonisht strikte dhe se vendimet për prishje janë të bazuara të gjitha në legjislacionin dhe rregullat në fuqi”, tha Koçiu.
Koçiu kundërshtoi edhe pretendimin se aksioni prek vetëm shtresën e varfër, duke theksuar se janë prishur edhe vila e objekte luksoze në Farkë, Lundër, bregdet dhe zona të tjera.
“Kam dëgjuar dhe një tezë tjetër. Se ne paskemi goditur shtëpitë e fukarenjve, ashtu siç e thatë edhe ju këtu. Besoj se imazhet e vilave të prishura apo të evidentuara në paligjshmëri në Farkë, Lundër, Theth në bregdet, janë të mjaftueshme për ta zhbërë këtë argument dhe nuk ka shumë nevojë për koment”, tha ministrja.
Sipas saj, koha e tolerimit të ndërtimeve pa leje ka përfunduar dhe qeveria ka detyrimin të mbrojë territorin, sidomos në zonat turistike. Ajo nënvizoi se shumë ndërtime të dikurshme të paligjshme janë legalizuar, por “nuk mund të legalizohet një ndërtesë në oborrin e kishës apo buzë lumit”.
“Për çdo objekt të prishur, pronarët kanë qenë shumë mirë në dijeni për shkeljet që kanë bërë dhe janë njoftuar në kohë. Madje, ka pasur raste kur kanë vijuar punën për të ndërtuar më tej pa leje, edhe pse në dijeni të plotë të shkeljes. Siç ka pasur, pa dyshim, dhe në shumicën rasteve qytetarë të ndershëm, të përgjegjshëm, ku e kanë kuptuar se negociata për të legjitimuar paligjshmërinë, tentativa për të gjetur mikun apo për të vendosur shtetin para faktit të kryer, ka qenë e kotë. Dhe atëherë kanë vepruar vullnetarisht duke liruar vetë hapësirat e zëna në mënyrë të parregullt.
E para, të gjithë objektet e kundërligjshme, fillimisht janë vendosur nga strukturat e posaçme, sipas ligjit në fuqi, se kush duhen prishur; E dyta, të gjithë objektet e kundërligjshme, për të cilat ka pasur vendim për prishje janë informuar në kohën e duhur të gjithë qytetarët; E treta, ka pasur zero selektivizëm apo subjektivizëm në këtë proces. Ju garantoj se nëse aksioni ynë do ishte bazuar në raste selektive, pa vlerësim të dokumentacionit, patjetër që në gjykatë rastet s’do të ishin të pakta”, tha ajo.
