Ildi Gruda “tradhëton” Vllazninë / Sulmuesi ka firmosur kontratë 2- vjeçare me kampionët e KF Egnatia

Dëshira e legjendës së Vllaznisë, natyrisht edhe e klubit kuqeblu, duket se nuk është përmbushur.
Intervista e gjatë dhe ndër të radhat e Sinanit, duket se nuk e ka bindur Ildi Grudën të vazhdojë të jetë futbollist i Vllaznisë, të paktën për këtë sezon.
Vetë sulmuesi ka publikuar një shënim të gjatë në rrjetet e tij sociale, ku shprehet:
“Dua t’ju njoftoj se nga sot rrugëtimi im me Vllazninë përfundon këtu.
Me këtë rast, dua të shpreh mirënjohjen time të thellë për këto dy vite të jashtëzakonshme së bashku.
Faleminderit nga zemra të gjithëve, nga i pari tek i fundit për çdo mbështetje, respekt dhe perkushtim!
Një falënderim i veçantë shkon për djemtë e ekipit, me të cilët kam ndarë momente të bukura, të forta e të paharrueshme.
Luftuam çdo ditë krah për krah për objektivat tona dhe krijuam një lidhje që shkon përtej fushës së lojës.
Gjithashtu, faleminderit sportdashësve shkodranë për mbështetjen e palodhur në çdo ndeshje, në fitore e në humbje.
Zemra juaj ka qenë gjithmone forca jonë më e madhe.
I uroj Vllaznisë shumë suksese në Kupat e Europës dhe në çdo garë tjetër, me dëshirën e madhe qe titulli kampion të kthehet sërish në Shkodër.
Faleminderit për gjithcka”, shkruan Ildi Gruda.
Ndërkohë, në faqen zyrtare të KF Egnatia, është publikuar një foto, ku Gruda shihet me fanelën e këtij ekipi, shoqëruar edhe me tekstin: Ildi Gruda pjesë e kampionëve.
Futbollisti dhe Presidenti Demrozi kanë firmosur një kontratë 2- vjeçare me klubin deri në Qershor 2027.
Pas konfirmimit të regjistrimit nga Federata Shqiptare e Futbollit , futbollisti u bë pjesë e listës për ndeshjet eleminatore të UEFA Champions League.