Ikën Holta Zaçaj, Kushtetuesja shpall zyrtarisht garën: Nis procedura për zgjedhjen e Kryetarit të ri

Kushtetuesja shpa

Gjykata Kushtetuese ka çelur sot zyrtarisht procedurat për zgjedhjen e Kryetarit të ri të këtij institucioni kyç të drejtësisë.

Vendimi u mor në Mbledhjen e Gjyqtarëve të zhvilluar këtë të martë (02.12.2025), nën drejtimin e gjyqtares Marsida Xhaferllari. Trupa gjykuese konstatoi se me betimin e anëtarit më të ri, Asim Vokshi, dhe përfundimin e mandatit të ish-kryetares Holta Zaçaj, vendi i drejtuesit të Gjykatës ka mbetur vakant.

Afate të përshpejtuara, vetëm 5 ditë kohë

Në vendimin e zbardhur sot, Mbledhja e Gjyqtarëve ka vendosur të veprojë me procedura të përshpejtuara. Duke parë rëndësinë e pozicionit dhe faktin që vendi është bosh, gjyqtarët kanë vendosur të përgjysmojnë afatet standarde të parashikuara në Rregullore.

“Kërkesa me shkrim për shprehje interesi nga gjyqtarët mund të paraqitet jo më vonë se 5 ditë nga hyrja në fuqi e këtij vendimi,” thuhet në pikën e dytë të vendimit.

Kjo do të thotë se gjyqtarët aktualë të Kushtetueses që aspirojnë të drejtojnë institucionin, duhet të depozitojnë platformat dhe kërkesat e tyre brenda kësaj jave.

Ndryshimet në përbërje

Hapja e garës vjen pas një zinxhiri lëvizjesh në Gjykatë. Më datë 25 nëntor 2025, Presidenti i Republikës pranoi betimin e Asim Vokshit si anëtar i ri, i cili zëvendësoi Holta Zaçajn. Me ardhjen e Vokshit, Zaçaj, e cila mbante edhe postin e Kryetares, u largua përfundimisht nga detyra, duke krijuar nevojën për zgjedhjen e një lideri të ri mes 9 anëtarëve.

Mbledhja e sotme u zhvillua me praninë e anëtarëve: Marsida Xhaferllari, Fiona Papajorgji, Sonila Bejtja, Sandër Beci, Ilir Toska, Genti Ibrahimi, Marjana Semini dhe Asim Vokshi.

Screenshot 2025 12 02 184536