I arrestuar prej 1 viti për dosjen SASPAC, Beqaj shfaq probleme shëndetësore, shtrohet në QSUT

Beqaj shfaq probleme

Ish-ministri I Shëndetësisë, Ilir Beqaj është shtruar në spitalin Nënë Tereza pasi ka shfaqur problem shëndetësore.

Sipas informacioneve paraprake, bëhet me dije se ish-ministri, i shoqëruar nga policët, është paraqitur në QSUT me temperaturë të lartë dhe infeksion të rëndë në lëkurë.

Ish-ministri është transportuar ditën e shtunë nga paraburgimi i burgut të Durrësit për në QSUT, ndërsa mësohet se gjendja shëndetësore e tij është ende e pastabilizuar.

Ish-ministri u arrestua një vit më parë për dosjen “SASPAC” ndërsa po gjykohet me procedure të zakonshme për dosjen e Sterilizimit.

Ndaj Beqajt rëndojnë 6 akuza, konkretisht: “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore” kryer në bashkëpunim (2 herë); “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim 8 herë; “Falsifikim i dokumenteve” kryer në bashkëpunim 9 herë; “Mashtrim” kryer në bashkëpunim me pasoja të rënda; ; “Mashtrim” kryer në bashkëpunim, e kryer 3 herë; Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”.

Sipas hetimeve të SPAK, rezulton se ish-ministri Beqaj dhe personi tjetër i pandehur në lidhje me këtë  çështje, Ermal Kurtulaj, kanë kryer në bashkëpunim me njëri-tjetrin një sërë procedurash prokurimi fiktive. Sipas SPAK, Beqaj ka patur njohje të vjetra me Kurtulaj, të paktën që prej vitit 2012. Më pas, Kurtulaj është emëruar në vitin 2022 nga Beqaj si koordinator i zyrës “Facility Point”, për programin “EUSAIR”, në SASPAC.

Ish-ministri akuzohet nga Prokuroria e Përgjithshme se ka urdhëruar Kurtulajn në kryerjen e disa procedurave prokurimi fiktive, pasi fituesit ishin dakordësuar dhe përcaktuar para se të kryheshin procedurat e prokurimit.