Hyn në fuqi marrëveshja e pensioneve me Italinë. Mijëra shqiptarë përfitues, u njihen kontributet në të dyja shtetet

Marrëveshja për njohjen e ndërsjellë të viteve të punës mes Shqipërisë dhe Italisë ka hyrë nga sot zyrtarisht në fuqi, duke sjellë një lehtësi të madhe për qytetarë shqiptarë dhe italianë që kanë punuar në të dyja vendet.
Të gjithë qytetarët mund të bashkojnë periudha e sigurimit në të dyja shtetet në mënyrë që të mos humbasin asnjë kontribut, pavarësisht kohës dhe vendit ku janë hedhur.
Nëse një shqiptar aplikon në Itali për lidhjen e pensionit, do të jenë institucionet italiane që do të shkëmbejnë informacion me institucionet shqiptare për të bashkuar periudhat e sigurimeve të personit. Nga kjo marrëveshje mbulohen pensionet e pleqërisë, sigurimet për përfitimet për sëmundjet apo sigurimet për papunësinë.
Qytetarët që do të aplikojnë në Shqipëri për pension pleqërie duhet që në portalin e-Albania të plotësojnë edhe rubrikën që lidhet me periudhat e sigurimit jashtë Shqipërisë. Bazuar në kërkesën dhe dokumentacionin e dorëzuar, struktura përgjegjëse në Institutin e Sigurimeve Shoqërore plotëson formularin përkatës në varësi të llojit të përfitimit të kërkuar, si dhe Formularin AL-IT 205 që vërteton periudhat e sigurimit në Shqipëri, të cilët i përcillen Italisë për shqyrtim.
Ndërkohë që nëse kërkesa paraqitet nga qytetari që vijon të jetojë në Itali, kërkesa për pension i paraqitet INPS-së (Institutit Italian të Sigurimeve Shoqërore), në përputhje me procedurat administrative të institucionit kompetent italian. Për informacion të detajuar mbi procedurën e aplikimit në Itali, qytetarët mund t’i referohen faqes zyrtare të INPS-it.