Homazhet për 21 Janarin, Rama: Kush kërkon drejtësi duhet të shikojë nga SPAK dhe jo nga ne
Kryeministri Edi Rama tha se drejtësia për 21 janarin nuk duhet të kërkohet nga qeveria e Kryeministria, por nga organet hetuese dhe SPAK. Duke iu përgjigjur kritikave se pse ende nuk ka drejtësi për 21 Janarin, Rama deklaroi se përgjegjësia nuk qëndron te pushteti politik.
Rama shtoi se qeveria ka mbajtur zotimin për ndarjen e drejtësisë nga pushteti politik, duke krijuar kushtet ligjore për fundin e pandëshkueshmërisë, përmes institucioneve të pavarura të drejtësisë.
“Megjithëse nuk e di se sa vite do të kërkojë fundi i padrejtësisë ulëritëse mbi 21 Janarin, di se ulërima e kësaj padrejtësie nuk do të shuhet asnjëherë dhe nevoja për drejtësinë e munguar për këtë tragjedi do të triumfojë patjetër. Ne do ta mbajmë zotimin duke ndarë drejtësinë nga pushteti politik dhe duke krijuar kushte për fundin e pandëshkueshmërisë me ligj, jo me zakon. Përmes organeve të drejtësisë, jo përmes partisë dhe qeverisë. Ky është fakti, kush kërkon nga ne pse nuk është bërë drejtësi për 21 Janarin, duhet të shikojë te stacioni i trenit dhe jo te kjo godinë. Nga kjo godinë ka dalë bërthama e reformës në drejtësi dhe në godinën përballë është çelur ajo bërthamë, ndërsa në Parlament është bekuar ajo farë e drejtësisë së pavarur nga pushteti politik”, tha Rama.
Teksa 15 vite kanë kaluar dhe ende nuk është vënë drejtësi për vrasjen e 4 protestuesve më 21 Janar, Rama theksoi se pa një gjykim të vërtetë për këtë çështje, drejtësia e re nuk mund të konsiderohet e shkëputur nga e shkuara.
“Nuk është pushteti politik, as i qeverisë dhe as i partisë, apo i të gjitha partive po të doni, që duhet të bëjë punën në kanalet e hetimeve dhe sallat e gjyqeve. Është një pushtet tjetër që duhet t’i bëjë këto.
Ky është një fakt që nuk e luan topi: derisa drejtësia e re të mos ketë bërë gjyqin e vërtetë për 21 Janarin, ajo do të mbetet gjithmonë një drejtësi ende e vjetër”, tha Rama.
