Hollywood-i dhe industria e modës i japin lamtumirën Valentino-s, “Perandorit të Modës”
Në një ceremoni të mbushur me trishtim dhe nderim, kolegët, artistët, mbështetësit dhe admiruesit e stilistit të shquar italian Valentino Garavani i dhanë lamtumirën e fundit në Romë. Funeralit të tij iu bashkuan emra të njohur nga bota e modës dhe Hollivudit, duke shprehur nderimin për “Perandorin e modës”, i cili ka lënë një trashëgimi të pashlyeshme në industrinë e modës.
Arkmorti i Valentino Garavani u vendos në Bazilikën Santa Maria degli Angeli e dei Martiri, një kishë e projektuar nga Michelangelo në shekullin e 16-të, e cila u bë vendi i homazheve për stilistin e ndjerë.
Në këtë ngjarje të rëndësishme, shumë figura të njohura nga bota e modës dhe kinemasë e nderuan stilistin e madh. Ndër aktoret që ishin të pranishëm për të dhënë lamtumirën ishin Anne Hathaway dhe Olivia Palermo, të cilat shpesh i janë parë në tapetin e kuq me veshje të dizajnuara nga Valentino.

Një tjetër pjesëmarrës ishte Alessandro Michele, drejtori krijues i Valentino. Po ashtu, pjesë e homazheve ishin Donatella Versace, Pierpaolo Piccioli, François-Henri Pinault, Maria Grazia Chiuri, Tom Ford, dhe Anna Wintour.
Një simbolikë e fortë u vu re gjatë ceremonisë, ku shumë nga të ftuarit mbajtën rroba dhe aksesorë në ngjyrën e kuqe, ngjyra ikonikë e Valentino-s. Shumë prej tyre mbajtën çanta, portofole dhe shalle të kuqe, si një homazh për këtë nuancë të ndezur që ka karakterizuar shumë nga krijimet e tij.
Me vdekjen e Valentino Garavani, industria e modës humbi një nga krijuesit më të mëdhenj të saj. Valentino, një stilist vizionar dhe një emër që ka kontribuar shumë në përcaktimin e elegancës dhe stilit të përjetshëm, ndërroi jetë në moshën 93-vjeçare në Romë, duke lënë pas një trashëgimi të pashlyeshme dhe ndikim të thellë në botën e modës.
