Heqja e dekorit festiv në Shkodër / Sheshi festiv pritet të sistemohet brenda 2–3 ditësh
Pas përfundimit të festave të fundvitit në muajin dhjetor, prej disa ditësh Ndërmarrja e Shërbimeve Publike ka nisur procesin e heqjes së dekorit festiv nga rrugët kryesore të qytetit, si dhe nga sheshi qendror festiv.
Sipas drejtorit të Ndërmarrjes së Shërbimeve dhe Punëve Publike, Altin Salihi, pas lirimit të plotë të sheshit do të vijojë edhe sistemimi i tij, me qëllim rikthimin në gjendjen optimale për qytetarët.
Në varësi të kushteve atmosferike, sheshi pritet të pastrohet plotësisht dhe të vihet në funksion normal brenda 2 deri në 3 ditësh.
Shkodra, për më shumë se një muaj, ishte kryefjalë e festimeve të fundvitit në të gjithë vendin, duke u shndërruar në një nga destinacionet më të vizituara në Shqipëri.
Qindra turistë vendas dhe të huaj zgjodhën qytetin për të përjetuar atmosferën festive dhe aktivitetet e organizuara gjatë kësaj periudhe.
