Helmoi 30 pacientë gjatë operacioneve, gjykata e dënon me burgim të përjetshëm mjekun

Frédéric Péchier, ësht

Një ish-anestezist francez, Frédéric Péchier, është dënuar me burgim të përjetshëm pasi u shpall fajtor për helmimin e qëllimshëm të 30 pacientëve, përfshirë 12 që humbën jetën. Vendimi u dha nga një gjykatë në qytetin Besançon, në Francën lindore.

Sipas prokurorisë, Péchier kontaminoi qeset e infuzionit me substanca që shkaktonin arrest kardiak ose hemorragji, duke vënë në rrezik jetën e pacientëve gjatë ndërhyrjeve rutinë kirurgjikale. Viktima më e re ishte një fëmijë katërvjeçar, i cili mbijetoi pas dy arresteve kardiake gjatë një operacioni të bajameve në vitin 2016, ndërsa viktima më e moshuar ishte 89 vjeç.

Hetimet ndaj Péchier nisën rreth tetë vite më parë, pas dyshimeve për raste të ngjashme në dy klinika të Besançon-it gjatë periudhës 2008–2017. Rasti i parë i njohur ishte ai i Sandra Simard, 36 vjeçe, e cila pësoi arrest kardiak gjatë një operacioni në shtyllën kurrizore. Analizat zbuluan përqendrime kaliumi deri në 100 herë mbi normën e lejuar në infuzionet e saj.

Gjatë gjyqit, Péchier herë pas here pranoi se disa pacientë mund të ishin helmuar, por mohoi përgjegjësinë personale, duke deklaruar se kishte respektuar betimin e Hipokratit. Prokurorët e cilësuan atë si “Doktor Vdekja”, duke thënë se ai e kishte kthyer klinikën në një “varrezë”.

Péchier do të duhet të vuajë të paktën 22 vjet burg përpara se të ketë të drejtë për lirim me kusht. Ai ka 10 ditë afat për të paraqitur apel ndaj vendimit, çka do të çonte në një gjyq të dytë brenda një viti.