Hasani në Srebrenicë për përkujtimin e 30-vjetorit të gjenocidit: Urrejtja dhe përçarja, pasojnë vetëm katastrofa

Hasani në Srebrenicë

Gjatë një vizite njëditore në Bosnjë dhe Hercegovinë, Ministri për Punët e Jashtme Igli Hasani, mori pjesë në ceremoninë përkujtimore të 30-vjetorit të gjenocidit të Srebrenicës, një nga ngjarjet më të rënda të historisë së afërt evropiane, ku mbi 8,000 burra dhe djem boshnjakë u vranë nga forcat serbe në korrik 1995, në një zonë të shpallur të sigurt nga Kombet e Bashkuara.

Në kuadër të vizitës, Ministri Hasani zhvilloi takime me homologun e tij, ministrin e Bosnjë-Hercegovinës, Elmedin Konaković, si dhe me Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, Amer Kapetanović. Bisedimet u përqendruan në zhvillimet më të fundit në rajon dhe në avancimin e agjendës evropiane të Ballkanit Perëndimor.

Në maj 2024, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi një rezolutë që shpall 11 Korrikun si Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit në Srebrenicë. Në këtë kuadër, ceremonia e sotme mblodhi krerë shtetesh, ministra të jashtëm dhe përfaqësues të lartë nga e gjithë bota.