Hapja e vitit gjyqësor, Sadushi: Drejtësia kërkon pavarësi, përgjegjësi dhe besim publik. Roli i gjykatave është thelbësor

sadushi26

Kreu i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, në fjalën e mbajtur gjatë ceremonisë së hapjes së vitit të ri gjyqësor në Shqipëri, theksoi se drejtësia përbën shtyllën themelore të shtetit të së drejtës dhe një thirrje të vazhdueshme për ndërgjegjësim institucional.

Duke u ndalur te tema e ceremonisë, “Drejtësia përballë pavarësisë, përgjegjësisë dhe besimit publik”, Sadushi u shpreh se drejtësia nuk është vetëm proces vendimmarrjeje, por standard, orientim dhe garanci për liritë dhe të drejtat e qytetarëve. Sipas tij, në një shtet demokratik ndarja dhe balanca e pushteteve nuk janë parime abstrakte, por mekanizma sigurie ku drejtësia ka një rol të pazëvendësueshëm në garantimin e paanësisë dhe mbrojtjes efektive të të drejtave.

“Drejtësia nuk është çështje e një institucioni apo pushteti të vetëm, ajo është shtylla e shtetit të së drejtës dhe përgjegjësin për të duhet ta mbajnë të gjithë. Në një shtet demokratik, ndarja dhe balanca e pushteteve nuk është parim abstrakt por mekanizëm sigurie për liritë dhe të drejtat ku drejtësia ka një rol të pazëvendësueshëm që të garantojë paanësinë dhe mbrojtjen efektive të të drejtave.

Kur flasim për pavarësinë duhet të kuptojmë se ajo është garancia që qytetari të ketë një gjykim të paaanshëm dhe të drejtë, i mbrojtur nga presionet dhe ndikimet. Pavarësia kërkon integritet, kurajo, profesionalizëm dhe etikë.

Pavarësia kërkon dhe kapacitet institucional, duhet të jetë e arritshme për qytetarin brenda një kohe të arsyeshme dhe me dinjitet. Kur sistemi mbingarkohet dhe qytetari nuk arrtin dot në kohë te drejtësia, pavarësia zbehet në efektin e saj më thelbësor, mbrojtjen reale të të drejtave.“, deklaroi Sadushi.

Sadushi theksoi se pavarësia e drejtësisë është garancia kryesore për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm, të mbrojtur nga presionet dhe ndikimet e jashtme. Ai nënvizoi se kjo pavarësi kërkon integritet, kurajo, profesionalizëm dhe etikë, por edhe kapacitet institucional, në mënyrë që drejtësia të jetë e aksesueshme për qytetarin brenda një kohe të arsyeshme dhe me dinjitet.

“Kur sistemi mbingarkohet dhe qytetari nuk arrin dot në kohë te drejtësia, pavarësia zbehet në efektin e saj më thelbësor, mbrojtjen reale të të drejtave”, u shpreh kreu i Gjykatës së Lartë, duke shtuar se drejtësia matet jo vetëm me cilësinë e vendimit përfundimtar, por edhe me rrugën për ta arritur atë.

Ai vuri theksin edhe te përgjegjësia, duke deklaruar se nëse pavarësia është kushti për paanësinë, përgjegjësia është kushti për besueshmërinë. Sipas Sadushit, pavarësia pa përgjegjësi rrezikon të perceptohet nga qytetarët si mungesë llogaridhënieje.

Në fjalën e tij, Sadushi theksoi se sallat e gjykatave u përkasin qytetarëve, të cilët hyjnë aty me shpresën për t’u dëgjuar dhe trajtuar me dinjitet, barazi dhe paanësi. Ai e cilësoi ceremoninë e hapjes së vitit gjyqësor jo vetëm si nisje formale, por si themelimin e një tradite institucionale reflektimi dhe përgjegjësie publike.

“Në thelb, ky është një angazhim publik i thjeshtë në formulim, por thelbësor në përmbajtje: drejtësia duhet të jetë e pavarur në vendimmarrje, e përgjegjshme në standarde dhe e denjë në raport me qytetarin”, përfundoi Sadushi.