Hapet kampusi i Universitetit të Teknologjisë së Kompienjës, dy programe të reja studimi për këtë vit akademik
Programet e studimit të një prej universiteteve më të njohura franceze, atij të “Teknologjisë së Kompienjës”, ëndrra e shumë studentëve shqiptarë, këtë vit të ri akademik do të mund të ndiqen edhe në Shqipëri.
Rektori i Universitetit “Politeknik”, Akli Fundo, në një intervistë për RTSH sqaroi se kampusi i këtij institucioni të arsimit të lartë do të hapet brenda ambienteve të Universitetit Politeknik të Tiranës dhe do të ofrojë dy programe të reja: atë të Inxhinierisë Kompjuterike dhe të Inxhinierisë në Sistemin Elektronik.
“Kemi nënshkruar një marrëveshje të madhe ndërmjet dy universiteteve, që përmban tri marrëveshje: një marrëveshje për hapjen e kampusit, një marrëveshje për hapjen e programeve të studimit, dhe një marrëveshje për rregulloret e studimit. Dy vitet e para do të jenë dy programe studimi me nga 24 studentë secila. Në vitin e tretë numri i studentëve do të dyfishohet dhe mendohet në të ardhmen që do të vijnë edhe studentët francezë të studiojnë në Shqipëri. Në vitin e tretë do të kemi shtimin e një programi të ri, Inxhinieri Mekatronike. Perspektiva është për të futur më vonë edhe një program në Inxhinieri Mekanike,” tregon Prof. Dr. Fundo.
Rektori sqaron se programet e studimit do të zhvillohen në tri gjuhë.
“Mësimi do të bëhet në Universitetin Politeknik të Tiranës me profesorë të universitetit dhe profesorë francezë të universitetit të Teknologjisë të Kompienjës. Në përfundim të studimeve, studentët do të marrin dy diploma: një diplomë të Universitetit Politeknik të Tiranës dhe një diplomë të Universitetit të Teknologjisë të Kompienjës. Leksionet do të jenë në tri gjuhë: shqip, frëngjisht dhe anglisht,” thotë rektori Fundo.
30 për qind e studentëve më të mirë, që do të përfundojnë me rezultate të larta këto programe studimi, do t’u jepet e drejta për të ndjekur shkollën inxhinierike në Francë.
