Hapen aplikimet për Skemën Kombëtare të Investimeve, Denaj: 2 miliardë lekë mbështetje për bujqësinë

bujqesi skema

Janë hapur sot (30 korrik) aplikimet për Skemën Kombëtare të Investimeve 2025 për sektorin bujqësor, duke ofruar një paketë financimi të integruar, që përfshin kredinë e butë dhe mbështetje financiare përmes granteve.

Sipas njoftimit të ministres së Bujqësisë, Anila Denaj, kjo skemë ka për qëllim rritjen e konkurrueshmërisë dhe fuqizimin e inovacionit në zinxhirin agroushqimor, duke siguruar gjithashtu përmbushjen e standardeve të BE-së për sigurinë ushqimore.

Për më tepër, ajo synon realizimin e objektivit ambicioz të qeverisë për eksportimin e 1 miliard eurove produkte bujqësore deri në 2030-ën.

Për të mbështetur zhvillimin bujqësor, Skema Kombëtare e Investimeve 2025 ofron një fond rekord prej 20 milionë eurosh, të cilat janë të strukturuara në nëntë masa mbështetëse, të cilat mund të përdoren nga fermerët dhe subjektet bujqësore për të zhvilluar plane investimi të personalizuara,” theksoi ministrja Denaj në rrjetet sociale.

Kredia e butë e nisur prej janarit, me një normë interesi vetëm 2% dhe 70% kolateral nga shteti, gërshetohet me Skemën Kombëtare të Investimeve 2025 me 50% grant, duke krijuar një paketë të plotë financimi për sektorin bujqësor.

Ky program është i hapur për fermerët, si dhe për shoqëritë me status fizik ose juridik, të cilët mund të aplikojnë për ndihmë financiare nëpërmjet Agropikave ose Agjencive Rajonale të Ekstensionit Bujqësor në zonën e tyre.

Aplikimet janë të hapura deri më 30 shtator dhe fermerët mund të marrin asistencë nga stafi i Ministrisë së Bujqësisë.