Guvernatori Sejko me misionin e FMN-së: Barrierat tregtare dhe konfliktet gjeopolitike, sfidë për ekonominë
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, zhvilloi të premten një takim me misionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), të kryesuar nga Anke Weber, shefja e Misionit për Shqipërinë.
Qëllimi i vizitës së Misionit në Shqipëri ishte zhvillimi i dialogut periodik me autoritetet shqiptare mbi zhvillimet ekonomike, monetare e financiare, si dhe politikat e duhura për nxitjen e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik dhe ruajtjen e stabilitetit monetar e financiar të vendit.
Diskutimet u fokusuan mbi zhvillimet më të fundit ekonomike dhe financiare në vend, si dhe perspektivën e tyre për të ardhmen; politikën monetare të ndjekur nga Banka e Shqipërisë dhe masat e marra për ruajtjen dhe forcimin e shëndetit të sektorit bankar dhe stabilitetit financiar të vendit. Guvernatori Sejko theksoi se aktiviteti ekonomik është rritur me ritme të qëndrueshme, inflacioni i çmimeve të konsumit është stabilizuar në nivele të ulëta, ndërsa tregjet financiare janë shfaqur të qeta dhe kushtet e financimit mbeten akomoduese.
Gjatë takimit, guvernatori vuri theksin në sfidat me të cilat përballet ekonomia vendase, të tilla si sfida nga mjedisi i jashtëm, rritja e barrierave tregtare, pasiguritë mbi drejtimin e politikave ekonomike e tregtare, si dhe intensifikimi i konflikteve gjeopolitike që krijojnë një mjedis me pasiguri të lartë duke kërkuar vëmendjen e nevojshme dhe fleksibilitet për të reaguar në mënyrë efektive.
Nga ana e tyre, përfaqësuesit e Fondit Monetar Ndërkombëtar shprehën mbështetjen e tyre për politikën monetare të ndjekur nga Banka e Shqipërisë dhe kontributin e rëndësishëm të saj në stabilitetin monetar e financiar. Gjithashtu, përfaqësuesit e Misionit theksuan rëndësinë e vijimit të regjimit të kursit të lirë të këmbimit, duke nënvizuar se ky regjim ofron një instrument mjaft të dobishëm në amortizimin e goditjeve të huaja dhe është përqasja më e mirë në procesin e konvergjencës me standardet e Bashkimit Evropian.
Së fundi, përfaqësuesit e Misionit theksuan rëndësinë primare që një bankë qendrore e pavarur, profesionale dhe transparente, ka për ruajtjen e stabilitetit monetar e financiar, si parakushte për një zhvillim të shpejtë e të qëndrueshëm të vendit, duke nënvizuar se kjo pavarësi është, gjithashtu, edhe një kriter primar i ruajtjes së besimit të investitorëve vendas e të huaj në ekonominë dhe sistemin financiar shqiptar.
Gjithashtu, ata vlerësuan rëndësinë që do të ketë për vendin zbatimi i një programi të vlerësimit të sektorit financiar (FSAP), puna për të cilin do të fillojë gjatë vitit të ardhshëm.
