Guvernatori Gent Sejko: Norma e interesit mbetet 2.5%, inflacioni nën kontroll, turizmi rritet me 22%

Guvernatori Gent Se

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ka vendosur sot të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin 2.5%. Ky vendim, i marrë në mbledhjen e fundit për këtë vit, sipas Guvernatorit Gent Sejko, vjen si pasqyrim i një stabiliteti solid financiar dhe një rritjeje ekonomike që ka tejkaluar parashikimet, e nxitur veçanërisht nga suksesi i paprecedentë i turizmit.

Guvernatori Gent Sejko, në një konferencë për shtyp, deklaroi se treguesit mbeten të konsoliduar. Përveç normës bazë, u vendos që normat e interesit të depozitës dhe kredisë njëditore të mbeten përkatësisht në 1.5% dhe 3.5%.

“Ekonomia ka vijuar të rritet, ndërsa inflacioni (2.2%) qëndron poshtë objektivit tonë. Ne parashikojmë që ai të kthehet në nivelin 3% gjatë gjysmës së parë të vitit të ardhshëm,” theksoi Sejko.

Bilanci i vitit 2025, turizmi dhe pagat

Sipas guvernatorit, viti që po mbyllim shënoi disa rekorde historike për ekonominë shqiptare.

Lidhur me turizmin, shërbimet u rritën me 22% në tremujorin e tretë.

“Ky fluks e çoi vendin, për herë të parë post-tranzicion, drejt një suficiti të llogarisë korrente”, tha ai.

“Papunësia ra në 8.1%, ndërsa pagat në sektorin privat u rritën me 9.8%, duke mbështetur fuqinë blerëse pa krijuar presione të forta inflacioniste. Portofoli i kredisë u zgjerua me 14.2%, me një cilësi të lartë (kreditë me probleme vetëm 4.3%).”, tha guvernatori.

Një nga arritjet strategjike të këtij viti ishte aderimi i Shqipërisë në SEPA (Zonën Unike të Pagesave në Euro). Ky hap eliminon barrierat me tregun evropian, duke lejuar pagesa me kosto dhe shpejtësi të njëjtë si brenda BE-së.

Guvernatori bëri me dije se qytetarët shqiptarë kanë kursyer tashmë mbi 200 milionë euro nga modernizimi i sistemeve të pagesave.

“Banka e Shqipërisë administron tashmë një rezervë valutore prej 7.1 miliardë eurosh, duke forcuar mbrojtjen ndaj goditjeve të mundshme të jashtme. Gjithashtu, në bashkëpunim me Thesarin e SHBA-së, është kryer një vlerësim i sigurisë kibernetike të bankave për të garantuar mbrojtjen e të dhënave të klientëve në epokën digjitale.”, tha Sejko.

Për vitin e ardhshëm, Banka parashikon kthim të inflacionit në objektiv (3%) në tremujorin e dytë 2026, si dhe vazhdimësi të rritjes së punësimit, por me rreziqe që vijnë nga tensionet gjeopolitike globale.

Guvernatori mbylli konferencën duke vlerësuar 100-vjetorin e krijimit të bankës qendrore, duke e konsideruar 2025-ën si një vit ku trashëgimia u lidh suksesshëm me inovacionin dhe integrimin evropian.

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi:

  • të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 2.5%;
  • të mbajë të pandryshuar normën e interesit të depozitës njëditore, në nivelin 1.5%;
  • të mbajë të pandryshuar normën e interesit të kredisë njëditore, në nivelin 3.5%.