Groenlanda në qendër të vëmendjes ndërkombëtare, mes interesit mediatik dhe tensioneve gjeopolitike

Groenlanda në qend

Për disa javë me radhë, gazetarë dhe ekipe kameramanësh nga e gjithë bota kanë mbërritur në kryeqytetin e Groenlandës, Nuuk, për të pyetur banorët vendas mbi zhvillimet dhe ndryshimet e një krize politike që e ka shndërruar ishullin Arktik në një pikë të nxehtë gjeopolitike.

Dhjetëra gazetarë nga media ndërkombëtare si The Associated Press, Reuters, CNN, BBC dhe Al Jazeera, si dhe nga vende skandinave dhe Japonia, kanë zbarkuar në Nuuk për të raportuar nga afër situatën.

Ekipet mediatike filmojnë shtëpitë shumëngjyrëshe të qytetit, kodrat e mbuluara me borë dhe fjordet e ngrira, ku banorët vendas dalin me varka të vogla për të gjuajtur foka dhe për të peshkuar. Megjithatë, për shkak të pozicionit të largët verior të ishullit, gazetarët kanë vetëm rreth pesë orë dritë dielli në ditë, pasi dielli lind pas orës 11:00 dhe perëndon rreth orës 16:00.

Përgjatë rrugëve tregtare të qeta të qytetit, gazetarët ndalojnë çdo pak metra për të folur me vendasit, për të realizuar transmetime të drejtpërdrejta apo për të regjistruar intervista.

Politikanë dhe përfaqësues të komunitetit lokal shprehen se janë të mbingarkuar nga kërkesat e shumta për intervista. Juno Berthelsen, deputete e partisë opozitare Naleraq, e cila mbështet pavarësinë e Groenlandës, e ka quajtur këtë interes mediatik “raundi i dytë”, duke iu referuar valës së parë të vëmendjes globale pas deklaratave të Trump në vitin 2025.

Presidenti amerikan Donald Trump ka këmbëngulur se dëshiron të marrë kontrollin e Groenlandës, por banorët e ishullit theksojnë se territori nuk është në shitje.

Groenlanda është një territor gjysmëautonom i Danimarkës dhe kryeministri danez ka paralajmëruar se çdo përpjekje e SHBA-ve për ta marrë ishullin me forcë mund të shënojë fundin e NATO-s.

Trump ka argumentuar vazhdimisht se SHBA kanë nevojë për kontrollin e Groenlandës për arsye të sigurisë kombëtare, duke pretenduar se Kina dhe Rusia kanë plane strategjike për ishullin, i cili zotëron rezerva të mëdha të pashfrytëzuara të mineraleve kritike.

Groenlanda ka një popullsi prej rreth 57 mijë banorësh, nga të cilët afërsisht 20 mijë jetojnë në Nuuk.