Gonzato takon kryetaren e “Kushtetueses”: Gjykata do jetë përfituese e projekteve të ardhshme të BE-së

610681811_18502503502077061_1033643935679626775_n

Ambasadori i Bashkimit Evropian, Silvio Gonzato, zhvilloi një takim me Kryetaren e re të Gjykatës Kushtetuese, Fiona Papajorgji, duke e uruar detyrën e re dhe theksuar angazhimin e BE-së për mbështetjen e sundimit të ligjit dhe të drejtave të qytetarëve shqiptarë.

“Pata kënaqësinë të uroj Kryetaren e re të Gjykatës Kushtetuese, Fiona Papajorgji, dhe të rikonfirmoj angazhimin tonë për të mbështetur sundimin e ligjit në Shqipëri, duke theksuar rolin kyç të Gjykatës në mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve shqiptarë.

Gjykata ka arritur tashmë nivelin e nevojshëm të stabilitetit, me dy vende të lira që pritet të plotësohen shumë shpejt, ndërkohë që vijon të ruajë cilësinë, transparencën dhe pavarësinë si institucioni më i lartë i drejtësisë në vend,” tha Gonzato.

Ambasadori Gonzato shtoi se BE-ja planifikon ta përfshijë Gjykatën Kushtetuese si përfitues në projektet e ardhshme dhe do të mbështesë përpjekjet e saj për të harmonizuar më tej praktikën gjyqësore me të drejtën e Bashkimit Evropian.

“I konfirmova Kryetares Papajorgji se planifikojmë ta përfshijmë Gjykatën si përfituese në projektet tona të ardhshme dhe të mbështesim përpjekjet e saj për të harmonizuar më tej praktikën gjyqësore me të drejtën e BE-së. Bashkëpunimi me të gjithë sistemin gjyqësor shqiptar është thelbësor për integrimin evropian, dhe Gjykata Kushtetuese mbetet një partner qendror në këtë proces,” shkruan Gonzato.