Gonzato: Reforma në Drejtësi, kontribut në rrugën e Shqipërisë drejt BE. Të ndalet presioni ndaj drejtësisë!

Silvio Gonzato ka kërkuar

Ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato ka kërkuar që të ndalen presionet ndaj drejtësisë. I pranishëm në tryezën e diskutimit “Mekanizmat e llogaridhënies”, Gonzato tha se pavarësia e gjyqësorit kërkon “respekt të plotë për magjistratët dhe besim te puna e tyre”. Sipas ambasadorit të BE, të gjithë duhet të respektojnë mekanizmat ligjorë.

Pavarësia kërkon respekt të plotë për magjistratët dhe besim te puna e tyre. Presioni i çdo lloj forme, privat apo publik, politik apo nga grupe private interesim, dëmton rëndë besimin publik. Të gjithë duhet të përmbahen dhe të mos ushtrojnë presion për strukturat e gjyqësorit dhe të respektojnë mekanizmat ligjorë dhe rishikimit gjyqësor që ekzistojnë. Vendimet gjyqësore kanë një vlerësim dhe japin ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve. Pavarësia pa llogaridhënie rrit rrezikun për abuzimin me pushtetin, llogaridhënia pa pavarësi mund të çojë në mosndëshkueshmëri”, tha ai.

Ndalur te Reforma në Drejtësi, Gonzato tha se rezultatet e prodhuara prej saj janë ato që priteshin, duke konsideruar se kjo reformë ka patur një rol kyç në rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE-së.  

Reforma në drejtësi ka dhënë ato që pritej nga Shqipëria sa i përket pavarësisë dhe llogaridhënies dhe ka dhënë kontribut të madh për ecurinë e mrekullueshme që ka bërë Shqipëria drejt BE. Ka ende punë për t’u bërë për zbatimin e kësaj reforme. Dhe ne inkurajojmë institucionet e drejtësisë të vazhdojnë të punojnë”, theksoi ai.

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, garantoi mbështetje të vazhdueshme të institucionit që ajo drejton nga organeve të reja të drejtësisë, duke veçuar SPAK. Sipas Spiropalit, SPAK dhe GJKKO i kanë dhënë më shumë legjitimitet procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE.

Ecuria e procesit të anëtarësimit gjatë vitit 2025 po dëshmon se ky është viti i grup-kapitullit “Themeloret”, ecuria e të cilit do të përcaktojë edhe zhvillimet edhe në grup-kapitujt e tjerë negociues. Në këtë kontekst, kuptohet sa e rëndësishme është mbështetja e funksionimit të SPAK dhe organeve të tjera të  sistemit të drejtësisë. Kuvendi ka qëndruar dhe do të jetë në mbështetje të SPAK, jo mbi të, jo përpara tij, por përkrah tij. Kuvendi ka miratuar pa asnjë hezitim kërkesat për mbështetje me burime financiare, materiale e njerëzore  për SPAK-un dhe organet e tjera të sistemit, duke i vlerësuar ato si nevoja prioritare. Kuvendi do të vijojë të garantojë që mbrojtja shumëdimensionale që i jep SPAK-ut kuadri ligjor i miratuar, të jetësohet në praktikë në lirinë e plotë për të vepruar pa asnjë ndikim nga jashtë institucionit”, theksoi ajo.

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja e konsideroi SPAK si një nga arritjet më të prekshme të Reformës në Drejtësi. Megjithatë, ai theksoi se ajo që ka nevojë vendi sot është një drejtësi jo vetëm e pavarur, por edhe që jep llogari për rezultatet e saj.

 “Reforma në Drejtësi kishte si objektiv ndërtimin e një sistemi drejtësie të pavarur dhe efektiv në funksion të besimit të publikut te sistemi. SPAK është një nga arritjet më të prekshme të kësaj reforme. Por siç e thekson dhe raporti, pavarësia nuk ka qenë një qëllim në vetvete. Pavarësia do të duhej të shoqërohej me mekanizma të qartë dhe efektiv të llogaridhënies për të garantuar që fuqia e dhënë institucioneve të drejtësisë të mos kthehej në vetëreferncë por t’i shërbejë sundimit të ligjit. Në këtë kuadër, koordinimi ndërinstitucional merr një rëndësi të veçantë. Ministria e Drejtësisë është pjesë e rëndësishme e kësaj arkitekture ndërinstitucionale.

Roli i ekzekutivit në raport me sistemin e drejtësisë, posaçërisht në raport me SPAK, parashikon aspekte administrative strategjike dhe mbeshtetetëse, pa ndikuar dhe cenuar pavarësinë e tij funksionale dhe vendimmarrëse. Roli i Ministrisë së Drejtësisë është politikbërës e monitorues. Sot, më shumë se kurrë, kemi nevojë për një drejtësi që jo vetëm është e pavarur, por edhe që jep llogari për rezultatet e saj. Kjo kërkon transparencë, standarde të qarta etike dhe profesionale, si dhe një kulturë të re institucionale që e sheh llogaridhënien jo si kërcënim, por si pjesë përbërëse të legjitimitetit të saj”, tha Manja.

Kreu i SPAK, Altin Dumani u ndal te disa nga gjetjet e dokumentit analitik të bërë nga Qendra për Studimin e Demokracisë e Qeverisjes. Sipas Dumanit, në këtë dokument, theksi vendoset te boshllëku ligjor mbi statusin e prokurorëve pas përfundimit të mandatit. Dhe përpos nevojës së menjëhershme për një zgjidhje ligjore, sikurse nënvizon Dumani, kjo problematikë prek jo vetëm stabilitetin personal të prokurorëve dhe ndikon në imazhin e institucionit të Prokurorisë së Posaçme.

Korniza kushtetuese e ligjore aktuale garanton pavarësinë e SPAK, ushtrimin e pavarur të funksioneve kushtetuese e ligjore. Në lidhje me pavarësinë e brendshme, prokurorët ushtrojnë në mënyrë të pavarur funksionet e tyre. Prokurorët komunikojnë në mënyrë të pavarur me institucionet e tjera. Dokumenti ka nënvizuar se statusi i prokurorëve pas përfundimit të mandatit mbetet boshllëk që kërkon zgjidhje ligjore. Në raportimet periodike në Kuvend DHE KLP e kemi ngritur si shqetësim. Prokurorët e posaçëm meritojnë një përgjigje”, tha Dumani.