Gjykata Kushtetuese kalon për shqyrtim ankimimin e qeverisë për pezullimin e Belinda Ballukut

Gjykata Kushtetuese kalon

Gjykata Kushtetuese ka vendosur të kalojë për shqyrtim në seancë ankimimin e paraqitur nga Kryeministria lidhur me pezullimin nga detyra të Zv.kryeministres dhe Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, vendim i dhënë më herët nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit (GJKKO).

Vendimi u mor gjatë mbledhjes së gjyqtarëve të Kushtetueses, të cilët pranuan kërkesën e Kryeministrisë për të shqyrtuar në seancë publike konfliktin e pretenduar të kompetencave mes ekzekutivit dhe GJKKO.

Ankimi që mban firmën e kryeministrit Edi Rama i bërë më 21 nëntor,  kërkon zgjidhjen e një mosmarrëveshjeje kompetencash mes ekzekutivit dhe GJKKO, duke kërkuar interpretimin e nenit 103 pika 3 të Kushtetutës, që i njeh ministrit imunitetin e barasvlefshëm me atë të deputetit.

Gjykata e Posaçme ka caktuar masa sigurie për disa të pandehur, përfshirë Zëvendëskryeministren dhe Ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

Hetimet e SPAK janë fokusuar në shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera publikë, të lidhura me dy projekte madhore: Ndërtimi i Tunelit të Llogarasë (fondi limit 18.9 miliardë lekë pa TVSH); dhe ndërtimi i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 4 (Fondi limit 2.09 miliardë lekë pa TVSH).