Gjykata i rrëzoi padinë për shpifje ndaj Bashës, Rama: Arsyetim me logjikën e një 12-vjeçari, kërkojnë dhe rritje rroge

Rama ka bërë të ditur se Gjykata

Kryeministri Edi Rama ka bërë të ditur se Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë ka rrëzuar padinë që ai kishte ngritur për shpifje ndaj ish-kreut të PD-së, Lulzim Basha, që prej vitit 2018. Në reagimin e tij, Rama ironizon arsyetimin e gjykatës, sipas të cilit padia rrëzohet me argumentin se “paditësi nuk ka pësuar dëm”, pasi vazhdon të jetë kryeministër dhe se “deklaratat e Bashës nuk kanë ndikuar në perceptimin publik ndaj tij”.

“Gjykata e Shkallës Parë Tiranë sot ka hedhur poshtë padinë time për shpifje ndaj Lulit në vitin 2018, për të cilën gjykatëses i janë dashur shtatë vjet që të dalë në konkluzionin se, unë “si paditës s’kam pësuar ndonjë dëm, pasi dhe aktualisht mbaj detyrën e kryeministrit dhe deklarata”, pra shpifja e Lulit “nuk ka ndikuar në perceptimin ndaj meje në publik”!!! Pra sipas gjykatëses, Luli s’ka shpifur përderisa shpifja e tij s’më ka larguar mua dot nga detyra!!!”, shkruan Rama.

Këtë arsyetim të gjykatës, kryeministri Edi Rama e ka lidhur me kërkesën që Unioni i Gjyqtarëve ka kërkuar për rritje rroge për gjyqtarët me 700 euro. Rama shpreh shqetësimin e tij për profesionalizmin e trupës gjyqësore, duke e cilësuar logjikën e gjykatëses “nën kapacitetin e një 12-vjeçari”.

“Tani që ky arsyetim nuk ka dalë nga ndonjë libër humoristik, po nga një gjykatë dhe që arsyetuesi nuk është autori i “Ushtarit të mirë Shvejk”, po një gjykatëse që paguhet më shumë se sa një mësuese apo një mjeke nga taksat e shqiptarëve, ky është një fakt për të qarë e aspak për të qeshur – kur mendon pastaj edhe që kjo gjykatëse i përket Unionit që kërkon rritje page 700 Euro nga Gjykata Kushtetuese, qarja bëhet vajtim! Ndërsa po t’i shtosh pastaj kësaj ngjarjeje satirike gjyqësore, dyshimin për se si mund t’i vejë halli të drejtës së njerëzve për çështje më të rëndësishme në duart e një gjykatëseje të tillë, atëherë të vjen të pyesësh: A do zgjohet nga gjumi qeveria e Gjyqësorit, me këshilltarët e inspektorët e lartë dhe qindra punonjësit e administratës së saj të aq mirëpaguar, për t’i kaluar në filtrin e përgjegjësisë së lartë publike bëmat dhe gjëmat me të cilat përballet e drejta e njerëzve të zakonshëm në sallat e gjyqeve?!

Dhe të kuptohemi mirë, halli nuk është farë çfarë bëri një gjykatëse me një çështje për shpifje, aq më tepër kur shpifësin në fjalë se marrin më seriozisht as këpucët pa lidhëse që vesh. Këtu halli është si do u vejë halli çështjeve shumë më të rëndësishme të njerëzve, që varen nga mendja e gjykatëses në fjalë apo të tjerëve si ajo, të cilët e kanë nivelin logjik nën kapacitetin e një 12-vjeçari!!!”, shkruan Rama.

Një ditë më parë kërkesën e Unionit të Gjyqtarëve, kryeministri Edi Rama e konsideroi si një “ndërhyrje skandaloze e gjyqësorit në kompetencat e ekzekutivit”, ndërsa shtoi se “shpreson se Gjykata Kushtuese të mos lajthisë”. Për komentin e Ramës reagoi edhe Gjykata Kushtetuese ku tha se çdo përpjekje që vë në dyshim autoritetin e këtij institucioni “cenon parimet themelore të shtetit të së drejtës”.