Gjykata e Posaçme dërgon në gjyq çështjen penale ndaj Arben Ahmetaj për “Shpërdorim Detyre”

Arben Ahmetaj për

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka pranuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) dhe ka vendosur dërgimin për gjykim të çështjes penale ndaj ish-zëvendëskryeministrit, Arben Ahmetaj.

Vendimi u mor të premten, më 25 Korrik 2025, në seancën paraprake, nga gjyqtari Erjon Çela. Arben Ahmetaj akuzohet për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Kërkesa e SPAK për dërgimin në gjyq të çështjes penale, ishte paraqitur pranë Gjykatës më 21 dhjetor 2023.

Me vendimin e sotëm, Gjykata urdhëron formimin e fashikullit të gjykimit, duke përfshirë aktet e hetimeve paraprake dhe ato të seancës paraprake. Ky vendim do të depozitohet në sekretarinë e Gjykatës së Posaçme brenda dhjetë ditëve nga shpallja e tij.

Gjithashtu, theksohet se kundër këtij vendimi nuk lejohet e drejta e ankimit. Kjo do të thotë se çështja tashmë do të kalojë në fazën e gjykimit në themel, ku do të shqyrtohen provat dhe argumentet e palëve.

Akuzat ndaj Ahmetajt

Sipas SPAK, ish-ministri i Financave dyshohet se ka kryer korrupsion në gjashtë raste të ndryshme. Rasti më i dukshëm lidhet me gjurmët e gjetura në kompjuterin e Klodian Zotos, një person i kërkuar dhe i akuzuar për inceneratorët. Dyshohet se Zoto i ka paguar Ahmetajt dhe bashkëshortes së tij udhëtime në disa shtete. Nga këto udhëtime, Ahmetaj dyshohet se ka përfituar 34 mijë euro, të cilat u zbuluan nga letër-porositë ndërkombëtare dhe llogaritë bankare.

Kjo gjurmë ishte shkaku që SPAK veçoi Ahmetajn, në atë kohë numër dy i qeverisë, nga dosja 277, ose ndryshe çështja e inceneratorit të Elbasanit, duke e ndarë në një fraksion më vete. Megjithatë, SPAK dyshon Arben Ahmetajn për veprime të dyshimta në lidhje me të tre inceneratorët.

Akuza tjetër e rëndë lidhet me fshehjen e pasurisë. Hetimi bazohet në sekuestrimin preventiv të dy vilave, njëra në Palasë dhe tjetra në Hamallaj. Prokurorët, jo zyrtarisht, bëjnë me dije se kanë mbledhur fatura dhe kanë marrë në pyetje disa biznesmenë në fushën e arredimit, të cilët thuhet se kanë treguar emrin e ish-funksionarit.

Akuza e tretë, për të cilën është kërkuar heqja e mandatit të deputetit – veprim që do të sillte masë sigurie nga Gjykata e Posaçme – lidhet me një skemë të mirëfilltë të pastrimit të parave në bashkëpunim, të fituara sipas SPAK nga korrupsioni.

Dyshohet se Ahmetaj i ka shkaktuar shtetit shqiptar një dëm ekonomik të konsiderueshëm, në vlerën e 7 miliardë lekëve. Arben Ahmetaj u shpall në kërkim ndërkombëtar në korrik të vitit 2023, pas hetimeve intensive lidhur me çështjen e inceneratorëve të Elbasanit dhe Fierit. Nga këto hetime, ish-numri dy i qeverisë dyshohet se ka përfituar shuma të ndryshme parash nga pronarët e inceneratorëve.

Në momentin e shpalljes në kërkim, SPAK ngriti ndaj Ahmetajt akuzat për tri vepra penale të rënda:

  • “Mosdeklarim, deklarim të rremë dhe fshehje të pasurisë”, si vetëm ashtu edhe në bashkëpunim.
  • “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” në gjashtë raste.
  • “Pastrim të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.