GJKKO dënon Agron Shehajn me 300 mijë lekë gjobë për fyerje ndaj Lapajt, e shpall të pafajshëm për akuzën e shpifjes
Gjykata e Posaçme dënoi këtë të mërkurë (21 janar) Agron Shehajn, kryetarin e partisë “Mundësia”, Agron Shehajn me 300 mijë lekë të reja gjobë për veprën penale të fyerjes ndaj Adriatik Lapajt, kreut të “Shqipëria Bëhet”, ndërsa e shpalli të pafajshëm për akuzën e shpifjes.
Padia ishte ngritur nga Lapaj pas deklaratave publike të Shehajt, i cili kishte pretenduar se Lapaj kishte lidhje me persona të botës së krimit.
“I dëmtuari akuzues Adriatik Lapaj me datë 01.04.2025 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën për gjykimin e çështjes penale me të akuzuar shtetasin Agron Shehaj, i akuzuar për kryerjen e veprave penale të “Fyerjes” dhe “Shpifjes”, parashikuar përkatësisht nga nenet 119/2 dhe 120/2 të K.Penal.
2. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Erjon Çela, bazuar në nenet 59, 112, 379, 384, 388/1/b, 390, 393 të K.Pr.Penale, si dhe nenet 119/2 dhe 120/2 të K.Penal, me vendimin nr. 4, datë 21.01.2026 vendosi:
1. Deklarimin fajtor të të akuzuarit Agron Shehaj për kryerjen e veprës penale “Fyerja”, e parashikuar nga neni 119/2 i K.Penal dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e tij me 300 000 (treqind mijë) lekë gjobë.
2. Deklarimin e pafajshëm të të akuzuarit Agron Shehaj për kryerjen e veprës penale “Shpifja”, e parashikuar nga neni 120/2 i K.Penal, pasi fakti i pretenduar nuk përbën vepër penale.
3. Afati i pagimit të gjobës do të jetë 6 (gjashtë) muaj nga dita e marrjes formë të prerë të këtij vendimi.
4. Shpenzimet gjyqësore i lihet në ngarkim të akuzuarit Agron Shehaj.
5. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brenda 15 ditëve, afat i cili fillon nga dita e nesërme e njoftimit të vendimit”, thuhet në njoftim.
