Gjiknuri: Procesi i Reformës Zgjedhore ka ngrirë nga PD-ja. Drafti i parë teknik është gati
Kreu i Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore, Damian Gjiknuri, ka deklaruar se pavarësisht bojkotit të Partisë Demokratike, komisioni po vijon punën dhe ka përgatitur draftin e parë teknik të reformës.
Në mbledhjen e qeverisë dhe të grupit parlamentar, Gjiknuri theksoi se komisioni ka të gjitha kapacitetet për të ecur i vetëm, por mbështetja e opozitës mbetet e domosdoshme, sidomos për shkak të detyrimeve që lidhen me procesin e integrimit në Bashkimin Europian.
“Komisioni u formua më 8 tetor të vitit të shkuar pas një procesi dialogu me opozitën, duke dakordësuar parimet. Sot që flasim, jemi përpara faktit që komisioni ka bërë dy mbledhje, kemi përcaktuar një prioritet pune që përputhet me rekomandimet e ODHIR dhe me prioritetet e integrimit. Filloi një proces i mirë, patëm dakordësi me palën tjetër, u përfshinë edhe faktorët ndërkombëtarë. Sot kemi dhe një draft teknik, por procesi është ngrirë për shkak të situatës politike pas zgjedhjes së Avokatit të Popullit,” u shpreh Gjiknuri.
Ai shtoi se vendimmarrja është politike dhe se mbetet për t’u parë sesi do të ecë më tej:
“Komisioni ka të gjitha kapacitetet, ekspertët kanë nisur punën, drafti është bërë. Përsa i përket Kodit të ri Zgjedhor, kemi më shumë kohë për ta përfunduar, synimi është që deri në qershor-korrik ta përfundojmë. Qëllimet dhe objektivat i kemi të qarta. Procesi kërkon mbështetjen e palës tjetër dhe kujdes nga ana politike.”
Gjiknuri kujtoi se komisioni është një strukturë “sui generis”, e cila funksionon mbi bazën e dakordësisë dhe bashkëdrejtimit të dy palëve, pa u diktuar nga vullneti i njërës palë. Ai solli në vëmendje traditën e reformave zgjedhore që nga viti 2001, ku ka pasur raste suksesi, por edhe dështime kur nuk është arritur dakordësia.
“Mbaj mend që këtë marrëveshje e kemi bërë në 2008, 2012, 2020, reforma të suksesshme që kanë sjellë ndryshime të thella në Kodin Zgjedhor. Por një vit më parë, pavarësisht disa ndryshimeve, nuk mund të quhej reformë e plotë. Sot jemi para faktit që Komisioni i Posaçëm ka bërë dy mbledhje, ka përcaktuar një prioritet pune dhe ka një agjendë që përputhet me rekomandimet e ODHIR dhe me prioritetet që rrjedhin nga procesi i integrimit,” tha Gjiknuri.
Sipas tij, objektivi kryesor është përfundimi i Kodit të ri Zgjedhor brenda verës së këtij viti:
“Synimi është që deri në qershor-korrik ta përfundojmë. Procesi kërkon kujdes politik, por edhe mbështetjen e opozitës. Megjithatë, komisioni ka kapacitetet për të ecur përpara edhe i vetëm.”
