“Giro d’Italia”, skitë dhe sportet elitare – RTSH sjell ekskluzivitetet më të mëdha sportive

miremengjes shqiperi

Giro d’Italia, një nga ngjarjet më madhore të sportit botëror, nisi për herë të parë nga Shqipëria në edicionin e tij të 108-të (9-11 maj), duke shënuar një moment historik për vendin. E ftuar në studion e emisionit “Mirëmëngjesi Shqipëri” në RTSH 1, gazetarja Brikena Kuko theksoi rëndësinë e këtij eventi dhe rolin kyç të Radio Televizionit Shqiptar në përcjelljen e tij.

Sipas Kukos, lajmi për nisjen e Giro d’Italia nga Shqipëria ishte një surprizë e madhe, e cila kërkoi një mobilizim të jashtëzakonshëm. RTSH realizoi transmetimin e të tre etapave, një angazhim i rrallë dhe me standarde të larta profesionale, që e vendosi Shqipërinë në qendër të vëmendjes sportive ndërkombëtare.

Giro D’Italia, është një ndër veprimtaritë më madhore në botë  dhe edicioni i 108 i kësaj veprimtarie pati fatin që të nis nga Shqipëria për herë të parë. Këtë lajm shumë më parë se të niste Giro D’Italia, Edi Rama na befason me këtë ngjarje kaq madhore. Fakti që RTSH do të përcillte këto etapa, ngjalli mobilizimin, punën e madhe që do të bëhej dhe në të 3 ditët ishte një gjë shumë e rrallë”, tha Kuko.

Gazetarja u ndal edhe te sportet e tjera ku Shqipëria po korr suksese, veçanërisht peshëngritja, e cila ndër vite ka sjellë medalje të shumta dhe tashmë po përfaqësohet nga një brez i ri sportistësh me rezultate premtuese. Në fokus ishte edhe Lara Kolturi, e cila gjatë Kupës së Botës ka fituar katër medalje – dy të argjendta dhe dy të bronzta – duke konfirmuar nivelin e saj të lartë.

Kuko theksoi se Kolturi është tashmë e kualifikuar për Olimpiadën Dimërore Milano–Kortina, një tjetër event madhor që do të transmetohet ekskluzivisht nga RTSH, duke forcuar më tej rolin e transmetuesit publik si shtëpia e sportit shqiptar.

Peshëngritja ka qenë një sport që ka dhuruar medalje  pa fund. Ka ardhur një brez i ri me rezultate që flasin vet. Qershia mbi tortë, Lara Kolturi e cila në këtë kupë bote që ka nisur dhe vazhdon dhe në 2026, përgjatë vitit 2025 ka marrë 4 medalje, 2 argjendi dhe 2 bronzi.  Në janar ka garën e radhës dhe presim sërish medalje. Për më tepër ajo është e kualifikuar për Olimpiadën Milano-Kortina që është një tjetër ekskluzivet i Radio Televizionit Shqiptar”, u shpreh gazetarja.