“Gatuaj një pjatë më shumë”  / Solidaritet në ndihmë të familjeve në nevojë për festat e fundvitit!

gatuaj me shume

Nisma humanitare “Gatuaj një pjatë më shumë”, e ndërmarrë prej disa vitesh nga organizata vullnetare “Eko Mendje” në Shkodër, është shndërruar tashmë në një traditë solidariteti që synon të ndihmojë familjet në nevojë dhe të sjellë ngrohtësi në tryezat e tyre gjatë ditëve festive.

 Falë kontributit të dhuruesve dhe angazhimit të vazhdueshëm të vullnetarëve, gjatë kësaj periudhe janë përgatitur dhe shpërndarë qindra pako ndihmash, kryesisht ushqimore.

Përveç banorëve të Shkodrës, kësaj nisme i janë bashkuar edhe turistë vendas dhe të huaj, të cilët vizitojnë qytetin gjatë festave të fundvitit, duke dhënë kontributin e tyre në këtë akt solidariteti.

Ndihmat po shpërndahen për familje me probleme sociale dhe shëndetësore, si dhe për persona të tjerë në nevojë, ndërkohë që një pjesë e tyre janë destinuar edhe për institucione që ofrojnë shërbime për të moshuarit, jetimët dhe personat me nevoja të veçanta.