Gara për kreun e SPAK, vijon dëgjesa e platformave para KLP, kandidati i fundit prezanton programin e tij
Zgjidhet sot kreu i ri i SPAK. Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) ka nisur seancën për intervistat me katër kandidatët për kreun e ri të Prokurorisë së Posaçme, konkretisht prokurorët Adnand Xholi, Elvin Gogaj, Doloreza Musabelliu dhe Klodian Braho.
I pari i cili ka nisur prezantimin përpara anëtarëve të KLP-së të platformës së tij, duke shpjeguar vizionin dhe planin për drejtimin e SPAK-ut, është Xholi, i cili ushtron detyrën e tij si prokuror që prej vitit 2004.
Xholi ka deklaruar se ka aftësitë e duhura profesionale dhe menaxheriale për drejtimin e Prokurorisë së Posaçme, ndërsa theksoi se përparësia e tij, do të jetë mbrojtja e prokurorëve gjatë ushtrimit të detyrës.
Ai nënvizoi domosdoshmërinë për t’u përqendruar në hetime të thella dhe në kohë më të shpejtë, me qëllim goditjen e kriminalitetit në vend.
“Ka ardhur koha që të vijohet me hetime të tejshme cilësore në kohë të shpejtë për të goditur kriminalitetin. Prokurorët janë të pavarur, drejtuesi është meanxher i cili ka detyrimin ligjor dhe moral të sigurojë kushte e nevojshme të punës të orientojë burimet në dispozicion. roli i drejtuesit ka në fokus arritjen e rezultateve sa më të suksesshme. Kjo garanci duhet që të ndërtohet mbi ekuilibrin ndërmjet interesit publik në një krah, dhe respektimit të të drejtave të njeriut. Përparësia ime do të jetë mbrojtja e prokurorëve gjatë ushtrimit të detyrës“, deklaroi Xholi.
Kandidatja për kreun e SPAK, Doloreza Musabelliu: Gati të ofroj drejtim me integritet, vizion dhe rezultate konkrete
Kandidatja për drejtimin e SPAK, Doloreza Musabelliu, në prezantimin e saj, para anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë theksoi rëndësinë e institucionit dhe angazhimin personal për ta udhëhequr me profesionalizëm dhe vendosmëri.
Ajo nënvizoi se përvoja e saj profesionale, “përbën një garanci të fortë për një drejtim të suksesshëm të Prokurorisë së Posaçme”.
“SPAK përfaqëson një hallkë thelbësore në sistemin e drejtësisë. Motivimi im për të kandiduar buron nga dëshira dhe ndjenja e përgjegjësisë për të kontribuar me integritet, vizion dhe vendosmëri në drejtimin e këtij institucioni. Ky moment kërkon një drejtim që bashkon qartësinë e vizionit me integritetin e pakompromis. Me këtë kandidim synoj të ofroj një drejtim të paanshëm dhe të orientuar drejt rezultateve konkrete. Përvoja ime 21-vjeçare si prokurore më vendos në një pozitë optimale për të marrë drejtimin e SPAK. Drejtimi i këtij institucioni kërkon më shumë se vizion; kërkon njohje në rrënjë të sistemit,” deklaroi Musabelliu.
Gjatë prezantimit, kandidatja ndaloi te disa nga çështjet kryesore që ka trajtuar ndër vite. Ajo përmendi hetimet në fushën e trafikimit të narkotikëve, të zhvilluara me bashkëpunim ndërkombëtar.
“Hetimet në fushën e trafikimit të narkotikëve kanë çuar në dërgimin për gjykim të të gjithë personave të përfshirë. Këto çështje ndërkombëtare më kanë forcuar aftësitë për të menaxhuar raste komplekse,” tha ajo, duke shtuar se “lufta ndaj narkotikëve mbetet një prioritet global“.
Musabelliu vuri në dukje se ka trajtuar një numër të konsiderueshëm çështjesh të vrasjeve, si në Prokurorinë për Krime të Rënda ashtu edhe në SPAK, për motive të ndryshme, duke theksuar se ky është një sektor ku ajo mbetet e vendosur të vazhdojë punën.
Të pranishëm në KLP, ambasadori i BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato, ambasadori britanik Nicholas Abbot dhe e ngarkuara me punë e SHBA-së, Nancy Vanhorn.
Zgjedhja e kreut të ri të SPAK do të bazohet në eksperiencën në çështjet sensitive të korrupsionit dhe të krimit të organizuar, aftësitë drejtuese, vizionin dhe planin e besueshëm për organizimin e Prokurorisë, si dhe imazhin publik të karrierës së kandidatit.
Votimi do të jetë i hapur dhe nominal, dhe kandidati që merr më shumë vota do të emërohet në krye të SPAK. Në rast të një barazimi votash, Këshilli kryen një votim të dytë mes kandidatëve të barabartë.
Zgjedhja e kreut të ri, vjen pas përfundimit më 18 dhjetor të mandatit 3-vjeçar të Altin Dumanit. Ky i fundit u zgjodh në krye të Prokurorisë së Posaçme më 18 dhjetor të 2022-shit, dhe është prokurori i dytë që ka drejtuar SPAK që nga themelimi i Strukturës së Posaçme pas Arben Krajës.
Zgjedhja e kreut të ri të SPAK konsiderohet një moment vendimtar për vazhdimësinë e reformës në drejtësi dhe për forcimin e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Shqipëri.
