Galaja e Krishtlindjes, festa vazhdon në RTSH

gala orkestra rtsh

Gjithçka është gati në sallën e pallatit të kongreseve ku Orkestra Simfonike e RTSH po bën përgatitjet e fundit të koncertit gala për Krishtlindjen, një udhëtim muzikor i jashtëzakonshëm me kryeveprat më të bukura të muzikës botërore.

Nën dirigjimin e Armand Broshkës dhe me një repertor që bashkon klasiken, kolonat zanore dhe muzikën modern nga rock-u, pop-i, deri tek jazz-i, Orkestra Simfonike e RTSH-së premton një mbrëmje emocionuese dhe përbashkuese në shije për të gjitha brezat.

Në këtë mbrëmje gala e cila do të jetë e hapur për publikun, do të shijohen edhe performancat e Kamela Islamaj, Martin Pano dhe sopranos Erinda Agolli, të cilët me interpretimet e tyre i japin koncertit ngjyra të veçanta.

Mbrëmja do të drejtohet nga dy moderatorët Krist Martiro dhe Anjola Hamzaj.

Nga “Valsi i dashurisë” i Eugen Doga-s, tek emocioni i paharrueshëm i “Chi mai” nga Ennio Morricone, muzika do të rrjedhë si një rrëfim i butë që zgjon nostalgji dhe ëndrra.

Ndalesa të veçanta do të jenë edhe te kolonat zanore ikonike si “Gladiatori” i Hans Zimmer, që mbart dramë dhe madhështi.

Galaja e Krishtlindjes është risia e këtij viti ndryshe për RTSH me synimin për t’u kthyer edhe në traditë. Për teleshikuesit magjia e kësaj mbrëmje do të vijë në ekranin tonë gjatë ditëve të festave.