Funerali i Papa Françeskut do të mbahet të shtunën në një ceremoni modeste

Funerali i Papa Françeskut do

Vatikani ka njoftuar se ceremonia e varrimit të Papa Françeskut do të zhvillohet të shtunën, më 26 prill, në orën 10:00 në Bazilikën e Shën Pjetrit. Trupi i tij do të vendoset për homazhe publike në të njëjtën bazilikë duke filluar nga dita e mërkurë, duke i dhënë mundësinë besimtarëve të bëjnë nderimet e tyre të fundit.

Aktualisht, trupi i Papës ndodhet në një arkivol të vendosur në kapelën e rezidencës Santa Marta, ku ai jetoi gjatë gjithë papatit të tij 12-vjeçar.

Vatikani ka njoftuar edhe detajet e varrimit të Papës. Ceremonia e varrimit të Papës do të udhëhiqet nga Kardinali Giovanni Battista Re, Dekan i Kolegjit Kardinalor. Liturgjia do të mbahet në Bazilikën e Shën Pjetrit, ku pritet pjesëmarrja e figurave të larta të Kishës Katolike.

Patriarkët dhe kardinalët duhet të jenë të pranishëm në Kapelën e Shën Sebastianit deri në orën 09:00, duke sjellë me vete mitrën e bardhë prej damasku. Kryeipeshkvijtë dhe ipeshkvijtë janë të thirrur të mbërrijnë në Krahun e Kostandinit deri në orën 08:30, të pajisur me veshjet përkatëse liturgjike. Po ashtu, meshtarët duhet të jenë në zonën e rezervuar në Sheshin e Shën Pjetrit deri në orën 08:30, të veshur me stolën e kuqe dhe pjesën tjetër të veshjeve liturgjike.

Pas Meshës Eukaristike do të mbahen lutjet e fundit (commendatio) dhe ceremonia e lamtumirës (valedictio). Më pas, arkivoli do të dërgohet në Bazilikën e Shën Mërisë së Madhe, ku do të bëhet varrosja përfundimtare e Papa Françeskut.

Papa Françesku, i cili ndërroi jetë të hënën, ka kërkuar një varrim të thjeshtë dhe larg praktikave tradicionale të mëparshme. Ai do të jetë Papa i parë pas më shumë se një shekulli që nuk do të prehet në kriptën e Vatikanit, por në Bazilikën e Shën Marisë Major në Romë – pranë ikonës së tij të preferuar të Madonës.

Sipas testamentit të tij, i publikuar të hënën, Papa Françesku kërkoi të varrosej “në tokë, pa dekorim të veçantë”, me vetëm një mbishkrim të thjeshtë në latinisht: Franciscus. Ai gjithashtu kërkoi të përdoret një arkivol i thjeshtë prej druri, ndryshe nga tradita që përfshin tre arkivole – prej selvie, plumbi dhe lisi.

Vdekja e tij ka shkaktuar një valë pikëllimi mes katolikëve në mbarë botën dhe ka shënuar fillimin e ceremonive tradicionale të zisë 9-ditore, të njohura si Novendiales. Në javët në vijim, Kisha do të nisë procesin për zgjedhjen e papës së ri.

Në një kohë kur bota ndan dhimbjen për humbjen e një figure frymëzuese, trashëgimia e Papa Françeskut do të jetojë përmes përulësisë dhe përkushtimit të tij ndaj të varfërve, drejtësisë dhe paqes.