Fundi i paqes bërthamore SHBA-Rusi – Skadon traktati i ri START, bota përballë një gare të re dhe të rrezikshme armatimi
Për herë të parë pas më shumë se 50 vitesh, Shtetet e Bashkuara dhe Rusia mbeten pa një marrëveshje që kufizon ligjërisht arsenalet e tyre bërthamore.
Traktati i Ri START skadon këtë javë, duke hapur një kapitull të ri pasigurie në sigurinë globale. Marrëveshja, e nënshkruar në vitin 2010, vendoste kufij të qartë për numrin e kokave bërthamore dhe parashikonte inspektime në terren.
Këto kontrolle u ndërprenë gjatë pandemisë dhe nuk u rikthyen më. Në vitin 2023, presidenti rus Vladimir Putin pezulloi pjesëmarrjen e Moskës, duke përmendur tensionet me Perëndimin dhe luftën në Ukrainë.
Megjithatë, Kremlini ka deklaruar se do të respektojë përkohësisht kufizimet, duke e quajtur skadimin e marrëveshjes destabilizues.
Edhe ish-presidenti amerikan Barack Obama paralajmëroi se fundi i START-it mund të nxisë një garë të re armatimesh. SHBA-të dhe Rusia zotërojnë rreth 90 për qind të armëve bërthamore në botë dhe po modernizojnë fuqishëm arsenalet e tyre.
Paralelisht, Kina po rrit me shpejtësi kapacitetet bërthamore, megjithëse refuzon të përfshihet në negociata trepalëshe. Uashingtoni këmbëngul se çdo marrëveshje e re duhet të përfshijë edhe Pekinin.
Ndërkohë, Franca dhe Mbretëria e Bashkuar po forcojnë bashkëpunimin dhe kapacitetet e tyre bërthamore në Europë.
Ekspertët paralajmërojnë se pa marrëveshje kontrolli, rreziku i një gare të re bërthamore po bëhet gjithnjë e më real.
