Fundi i një epoke 4-shekullore, Danimarka i jep lamtumirën postierit klasik, bëhet vendi i parë në botë që ndalon shpërndarjen e letrave
Për herë të parë në histori, një shtet ka vendosur se posta tradicionale në letër nuk është më e nevojshme. Danimarka i ka dhënë lamtumirën postierit klasik, duke i dhënë fund një shërbimi që funksiononte pa ndërprerje prej 400 vitesh.
Vendimi drastik është marrë nga “PostNord”, shërbimi postar i vendit skandinav, i cili njoftoi ndalimin e menjëhershëm të dërgesave të letrave.
Nga dhurata e Mbretit te “vdekja” digjitale
Shërbimi postar danez u themelua në vitin 1624 nga Mbreti Christian IV, si një lloj “dhurate Krishtlindjesh” për popullin e tij. Sot, katër shekuj më vonë, teknologjia e ka bërë këtë dhuratë të vjetruar.
Danimarka është një nga vendet më të digjitalizuara në botë, ku komunikimi me qeverinë dhe bizneset bëhet pothuajse ekskluzivisht online. Statistikat flasin qartë: në 25 vitet e fundit, vëllimi i letrave fizike ka rënë me 90%. Kjo solli humbje kolosale financiare për kompaninë, që llogariten në rreth 57 milionë euro vetëm për vitin 2024.
“Pothuajse të gjithë danezët janë plotësisht digjitalë. Shumica e komunikimeve tona tani mbërrijnë në kutitë tona të email-it,”, tha Andreas Brethvad, zëdhënës i PostNord.
Ky transformim ka një kosto sociale dhe kulturore. PostNord njoftoi shkurtimin e 1,500 vendeve të punës. Gjithashtu, 1,500 kutitë postare ikonike me ngjyrë të kuqe, që kanë qenë pjesë e peizazhit urban për 170 vjet, janë shkulur dhe nxjerrë në shitje. Interesi i qytetarëve për të mbajtur një copëz historie ishte i jashtëzakonshëm, me danezët që paguanin deri në 300 dollarë për të blerë një kuti të vjetër postare.
Si do të funksionojë tani?
Nga sot, qytetarët që duan ende të dërgojnë një letër fizike, nuk mund ta hedhin më në kuti postare apo të presin postierin. Ata duhet t’i dorëzojnë ato në kioska të posaçme në dyqane, nga ku do të shpërndahen përmes kompanisë private DAO. PostNord do të vazhdojë të funksionojë vetëm për dorëzimin e pakove, një sektor që po lulëzon falë blerjeve online.
Edhe pse Danimarka është pionere në këtë hap, ekspertët paralajmërojnë se kjo lëvizje mund të izolojë grupet e margjinalizuara, veçanërisht të moshuarit që nuk kanë aftësi digjitale, një problem që mbetet shqetësues në nivel global.
