Ftesa e Trump për Ramën, Balla sulmon opozitën: U ngrit “armata e qyqarëve”, kryeministri është i vetmi i ftuar nga Ballkani

Balla sulmon

Numri dy i Partisë Socialiste, Taulant Balla, i ka kushtuar një vëmendje të veçantë ftesës që Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i ka dërguar Kryeministrit Edi Rama për t’iu bashkuar “Bordit të Paqes për Palestinën”.

Gjatë fjalës së tij në nisje të sesionit të ri parlamentar, Balla e cilësoi ftesën si një dëshmi të pakontestueshme se Rama është një partner i besueshëm dhe strategjik i SHBA-së, ndërsa shigjetoi opozitën për reagimin e saj mohues dhe minimizues.

Duke përdorur tone të ashpra, Balla ironizoi deklaratat e opozitës, të cilat fillimisht mohuan ekzistencën e ftesës dhe më pas pretenduan se ajo ishte masive për të gjitha vendet e OKB-së.

“Fatkeqësisht, edhe ndaj këtij lajmi të mirë për Shqipërinë, u ngrit përsëri armata e qyqarëve. Nga e shtuna në darkë, filluan të bërtasin. Në fillim thanë nuk ka ftesë; kur doli ftesa, thanë janë të gjitha vendet anëtare të OKB-së,” deklaroi Balla.

Për të hedhur poshtë pretendimet e opozitës, Balla theksoi ekskluzivitetin e pjesëmarrjes së Ramës në këtë iniciativë globale.

“Nuk është ftuar asnjë kryeministër apo president tjetër nga Ballkani Perëndimor,” saktësoi ai, duke shtuar se prania e Ramës nuk lidhet vetëm me anëtarësimin në NATO, por me besueshmërinë e tij personale si lider.

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka shfrytëzuar seancën e parë të sesionit të ri parlamentar për t’i kërkuar opozitës që të marrë pjesë me komisionet për Reformën Zgjedhore dhe atë Territoriale.

Nga foltorja e Kuvendit, Balla deklaroi se mazhoranca nuk ka më kohë për të humbur dhe paralajmëroi se nëse demokratët nuk bëhen pjesë e procesit brenda javës së ardhshme, Partia Socialiste do të veprojë e vetme.

Balla ishte i drejtpërdrejtë në mesazhin e tij drejtuar deputetëve të opozitës, të cilët po protestonin në sallë.

“Kohë për të humbur me ju, ne kemi zero. Doni të bëni reformën administrative dhe territorialen? Jeni të mirëpritur. Nëse javën tjetër nuk vini në komision, do të bëjmë ndryshimet.”, paralajmëroi Balla.

Ai shtoi se mazhoranca ka prioritete të qarta politike përpara: zgjedhjet e ardhshme lokale dhe ato të përgjithshme.

Balla bëri publik edhe projeksionin e datave për proceset e ardhshme elektorale. Sipas tij, koha nuk pret pasi afatet kushtetuese janë të qarta:

Zgjedhjet Vendore: Pritet të zhvillohen mes 15 Prill – 15 Maj 2027.

Zgjedhjet e Përgjithshme: Pritet të mbahen mes 15 Prill – 15 Maj 2029.

Ky kalendar, sipas Ballës, e bën të domosdoshme mbylljen sa më parë të çështjeve të hapura ligjore lidhur me ndarjen territoriale dhe kodin zgjedhor.