Fshati i Ri, pret investime… / Banorët përballen me mungesën e rrugës, ndriçimit dhe ujit të pijshëm

Fshati i Ri, të cilin e mbulon Bashkia Shkodër, në njësinë administrative Postribë, është pa rrugë, ujë dhe vazhdimisht me mungesë energjie elektrike, sidomos në dimër.
Këto shtylla elektrike, të vendosura përgjatë gjithë rrugës së fshatit, të kthejnë pas në kohë.
Janë shtylla prej druri, të improvizuara për të kryer funksionin e përcjelljes së energjisë elektrike në shtëpitë e fshatit.
Mungesa e infrastrukturës rrugore, ndriçimit, furnizimit me ujë të pijshëm i kanë detyruar familjet të jetojnë në kushte tejet të vështira.
Në Fshat të Ri jetojnë me dhjetëra familje të ardhura edhe nga zonat malore në kërkim të një jete më të mirë, por ajo çfarë kanë gjetur në këtë zonë i ka lënë për të dëshiruar për shkak të gjendjes në të cilën ndodhen rrugët apo edhe rrjeti i ujësjellësit.
Shpesh here, këta banorë i kanë kërkuar investime në institucionet përgjegjëse, por në kaq shumë vite kërkesat kanë rënë në vesh të shurdhër.