Foto/ Moti i keq përfshin vendin, Rama: Të gjithë në terren për përballimin e situatës
Vendi është përfshirë nga moti i keq, me reshje të vazhdueshme shiu në të gjithë territorin dhe dëborë në zonat mbi 600 metra mbi nivelin e detit. Situata ka sjellë problematika në disa zona, përfshirë përmbytje dhe rrëshqitje dherash, duke kërkuar ndërhyrje të vazhdueshme në terren.
Për përballimin e situatës dhe garantimin e sigurisë në akset rrugore, si dhe për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve, të gjitha strukturat e Emergjencave Civile, institucionet shtetërore dhe ato bashkiake janë në gatishmëri të plotë dhe 24 orë në terren prej disa ditësh.
Në vlerësim të punës së tyre, Kryeministri Edi Rama ka shpërndarë një album fotografik nga operacionet në terren, duke falënderuar të gjitha forcat e angazhuara.
“Me punën që vijon për përballimin e situatës së krijuar nga moti shumë i keq i ditëve të fundit, ju uroj një fundjavë të mbarë”, shkruan Rama krahas fotove.


Reshjet intensive të shiut dhe dëborës, të shoqëruara me temperatura të ulëta, kanë krijuar problematika të shumta në disa qarqe të vendit, duke ndikuar në qarkullimin rrugor, furnizimin me energji elektrike dhe sigurinë e banorëve, kryesisht në zonat malore dhe pranë lumenjve. Zonat më të prekura janë Gjirokastra, Lezha, Vlora, Durrësi.
