Forumi Ekonomik Botëror: Shqipëria, kampione në qëndrueshmërinë energjetike

energjetike

Lajm i rëndësishëm vjen nga Forumi Ekonomik Botëror (WEF), i cili ka shpallur renditjen e shteteve bazuar në tre komponentë kyç të zhvillimit energjetik.

Në një arritje të jashtëzakonshme, Shqipëria është pozicionuar në vendin e parë në kategorinë e qëndrueshmërisë energjetike, duke lënë pas vende me histori të gjatë dhe zhvillim të konsiderueshëm në këtë fushë si Suedia, Zvicra dhe Franca.

Ky vlerësim i lartë nga një prej forumeve ekonomike më prestigjioze në botë është pritur me krenari në Shqipëri.

“Ai shihet si një dëshmi e punës së palodhur dhe vizionit strategjik, veçanërisht në kontekstin e objektivit të shpallur nga qeveria shqiptare dhe Kryeministri Edi Rama për ta kthyer vendin në një pol energjetik rajonal dhe eksportues neto.”, shkruan në rrjetet sociale zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

Sipas saj, arritje të tilla ndërkombëtare shërbejnë si motivim për të vazhduar angazhimin drejt projekteve të reja në sektorin e energjisë.

“Në një kohë kur rreziqet gjeopolitike ndikojnë thellësisht tregjet energjetike globale, sfida më e madhe mbetet kthimi i këtyre rreziqeve në mundësi strategjike për zhvillim dhe forcim të pozicionit energjetik të vendit.”, thekson Balluku.

Kjo renditje e WEF-it nënvizon progresin e Shqipërisë drejt një të ardhmeje energjetike më të sigurt dhe të qëndrueshme, duke dëshmuar efikasitetin e politikave të zbatuara dhe investimeve në sektor.