Forcat nga Kosova mbërrijnë në Klos, nisin kërkimet nënujore për Jurgen Karajn

Forcat nga Kosova

Këtë të enjte (29 janar) shënohet dita e 20-të e kërkimeve intensive për Jurgen Karajn, 30-vjeçarin i cili dyshohet se ka përfunduar në përroin e Darsit, në territorin e Bashkisë Klos. Pavarësisht përpjekjeve intensive që vazhdojnë prej më shumë se dy javësh, deri më tani nuk është gjetur asnjë gjurmë e të riut.

Në operacionin e kërkimit kanë marrë pjesë forca të shumta shqiptare, përfshirë ushtrinë, forcat “Shqiponja”, shërbimet zjarrfikëse të Matit dhe Klosit, punonjës të Bashkisë Klos, si dhe banorë dhe familjarë të zonës.

Ndërkohë sot kanë mbërritur një ekip i specializuar nga Kosova për kërkime nënujore, me urdhër të Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani. Ky ekip do të bashkëpunojë me forcat shqiptare në përpjekjet për të zbardhur fatin e 30-vjeçarit.

Mbrëmjen e djeshme, Presidentja Osmani, si komandante e Përgjithshme e Forcave të Armatosura të Kosovës, autorizoi dislokimin e ekipit të specializuar të FSK-së në Klos, për të ndihmuar në kërkimet nënujore.