Foltorja- Berisha: Beteja jonë ndalet vetëm me fitoren e opozitës
Partia Demokratike ka zhvilluar dhe këtë të hënë (5 janar) foltoren e saj, ku dhjetëra demokratë dhe mbështetës të opozitës u mblodhën para Kryeministrisë.
Në fjalën e tij përpara godinës së qeverisë, kreu i PD-së, Sali Berisha tha se aksioni i tyre do të ndalet vetëm me fitoren e opozitës.
“Ne nuk presim që forcat Delta të zbarkojnë në Surrel, se do zbarkojnë Deltat tona. Këta forca Delta që kemi këtu priti në Surrel. Por njëlloj si Maduron, edhe ti në sallën e gjyqit do përfundosh. Për këtë e siguroj. Populli opozitar do triumfoje, shqiptarët me dinjitet do ta përmbysin diktaturën e urryer dhe me energjitë e tyre do ndërtojnë të ardhmen. Beteja jonë ndalet vetëm me fitoren e opozitës”, tha ai.
Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama se ka shndërruar zgjedhjet në farsë elektorale dhe se mandatet e tij mbështeten mbi krimin. Sipas Berishës, Rama do të përballet me drejtësinë, duke e krahasuar kreun e qeverisë me presidentin e rrëzuar të Venezuelës, Nicolás Maduro.
“Tani u them unë se pse ky është Ramaduro. Sepse ky njëlloj si Ramaduro ka shndërruar zgjedhjet në farsë elektorale. Mandatet e tij qëndrojnë mbi krimin. Ka marrë mandatet e opozitës. Ky është njëlloj si Maduro sepse ky është i lidhur direkt me kartelet më të fuqishme të drogës në Europë. Ky kontrollon me Franc Çopjat e tij çmimin e kokainës në tregun e saj në Europë. Ky është sa Maduro për shqiptarët, se në qoftë se Maduro ka përzënëq nga vendi i tij 20 përqind të popullatës me varfëri dhe mjerim, Ramaduro ka përzënë nga Shqipëria 40 përqind të popullatës. Ky është më keq se Maduro sepse në qoftë se Maduro preferonte edhe ai pijet e forta, ky preferon verat 33 mijë euro shishen”, u shpreh ai.
