Fluksi i festave, radhë kilometrike në superstradën Lezhë-Milot
Atmosfera e festave të fundvitit ka sjellë me vete edhe radhët e gjata kilometrike në akset kryesore kombëtare. Mbrëmja e së shtunës ka shënuar edhe pikun e fluksit në Qarkun e Lezhës, ku qarkullimi është bërë tejet i vështirë.
Superstrada Lezhë–Milot, arteria kryesore që lidh veriun e Shqipërisë dhe Kosovën me pjesën qendrore të vendit, është paralizuar nga numri i lartë i automjeteve. Raportimet e gazetarit të RTSH-24 nga terreni flasin për një trafik të rënduar, i cili në momente të caktuara është kthyer në një bllokim total të lëvizjes.
Kthimi i emigrantëve për festa dhe lëvizjet e qytetarëve për fundjavë kanë bërë që kapaciteti i rrugës të tejkalohet ndjeshëm gjatë orëve të mbrëmjes.
Ndërhyrja e policisë
Për të menaxhuar këtë situatë emergjente në trafik, Policia Rrugore ka kaluar në gatishmëri të përforcuar.
Efektivët e qarkullimit kanë shtuar ndjeshëm prezencën e tyre në terren, duke u pozicionuar në të gjitha pikat kyçe dhe nyjet problematike të aksit.
Qëllimi kryesor është zhbllokimi i trafikut në pikat ku krijohen bllokime dhe garantimi i sigurisë rrugore për të shmangur aksidentet që mund të vijnë nga padurimi i drejtuesve të mjeteve.
Autoritetet apelojnë për durim dhe respektim të distancës së sigurisë, ndërsa pritet që fluksi të vijojë të jetë i lartë edhe në ditët në vijim.
