Festat shtojnë infektimet e gripit e viruseve të tjera, ISHP: Vaksinohuni dhe vendosni maska në spital

insituti shendet publik

Festat e fundvitit kanë shtuar qarkullimin e infeksioneve respiratore. Hyrje-daljet, udhëtimet me avion dhe grumbullimet në ambiente të mbyllura kanë ndikuar në rritjen e intensitetit të virusve. ISHP referon mbi 13 mijë infeksione respiratore në javë, por realisht në qarkullim janë më shumë, pasi pushimet kanë ndikuar në nënraportim.

“Aktiviteti i gripit paraqitet mesatar, por parashikohet një rritje në javët në vijim. Gjithashtu, edhe trendi i infeksioneve respiratore të sipërme dhe të poshtme paraqet rritje. Jemi ende larg pragut epidemik. Të prekur janë të gjitha grupmoshat”, tha Artan Simaku, epidemiolog në ISHP.

ISHP nuk përjashton mundësinë e përhapjes së nëntipit K të nënvariantit AH3N2, i cili aktualisht ka një përhapje të shpejtë në infektime.

“Këto ndryshime gjenetike të vogla janë të zakonshme dhe të pritshme”, tha ai.

Autoritetet bëjnë thirrje për vaksinim ndaj gripit dhe për shtim të masave mbrojtëse si përdorimi i maskave dhe higjiena e duhur.

Krahasimisht me sezonet e shkuara gripale, ISHP paralajmëron rëndim të gjendjes së infektimeve dhe, për pasojë, edhe shtim të komplikacioneve tek të sëmurët kronikë. Prandaj, këshillohet evitimi i ambienteve të mbyllura dhe përdorimi i maskave në qendrat shëndetësore dhe spitale.