Festat e fundvitit, ministrja Sala: Spitalet në gatishmëri të plotë
Në kuadër të përgatitjeve për periudhën festive të fundvitit, vijon edhe puna për forcimin e kapaciteteve të shërbimeve mjekësore, si dhe përgatitjen për menaxhimin e urgjencave gjatë festave.
Ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala, e shoqëruar nga Drejtori i Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore, Skënder Brataj, inspektuan punimet për qendrën “back up” të Urgjencës Mjekësore në Vlorë, një strukturë strategjike që forcon më tej kapacitetet e reagimit ndaj emergjencave shëndetësore.
“Ju falënderoj të gjithëve, ekipin e mjekëve, infermierëve, të gjithë personelin e spitaleve që këto ditë do të jenë në gatishmëri 24/7 për t’iu ardhur në ndihmë atyre që do të kenë nevojë për shërbim shëndetësor. Faleminderit për gatishmërinë, profesionalizmin dhe pasionin që tregoni në punën tuaj. Gatishmëria juaj është siguri për qetësinë e qytetarëve, për mbarëvajtjen e festave dhe për funksionimin normal të të gjithë sistemit shëndetësor,” u shpreh ministrja Sala.
Brataj u ndal te gatishmëria e shtuar për periudhën e fundvitit, ku tha se janë marrë masa shtesë për të rritur numrin e ekipeve mjekësore në terren dhe për të siguruar që medikamentet dhe materialet e nevojshme janë në dispozicion.
“Edhe këtë vit për forcimin e kapaciteteve të shërbimeve për fundvit dhe 31, 1, 2, janë ditët ku ne jemi më shumë në alert për shkak të aksidenteve nga përdorimi i alkoolit apo edhe plagosjet më lëndë piroteknike kemi shtuara ekipet, medikamentet dhe materialet. Kemi një personel në gatishmëri nëse do jetë e nevojshme. Për festën e ndërrimit të viteve në sheshet e qyteteve aktivizohet një ekip shtesë përtej masave të marra për të garantuar sigurinë dhe mbulim të plotë të shërbimit”, tha Brataj.
