“Festa e Çobanit” në Bogë, promovim trashëgimisë kulturore të bjeshkëve

2festa11

Në fshatin turistik të Bogës, 47 km larg Shkodrës, u zhvillua edicioni i dytë i aktivitetit kulturor dhe turistik “Festa e Çobanit”.

Kjo festë që është kthyer në traditë vitet e fundit po fiton gjithnjë e më shumë vëmendje dhe përmasa.

E mbështetur nga  Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit ky aktivitet solli një paraqitje të vlerave, traditave dhe trashëgimisë së zonës së Bogës.

“Festa e Çobanit” është një festë tradicionale që promovon trashëgiminë kulturore të bjeshkëve shqiptare, e pasur me motive autentike shqiptare dhe pasuri që i japin jehonë kulturës sonë në UNESCO: Transhumanca, Xhubleta dhe Kërcimi i Tropojës.

“Festa e Çobanit” shërben edhe si promovim i Bogës, për të tërhequr sa më shumë turistë vendas e të huaj.

Gjatë dy ditëve të këtij aktiviteti, të zhvilluar në Kullën e Bajraktarit u demonstruan ritet e shtegtimit të bagëtive, u ekspozuan gatime tradicionale, produkte të zonës dhe veshje popullore.

Atmosfera u pasurua nga grupe artistike nga Malësia, Shkodra, Lezha, nga polifonia e Jugut dhe artistë të njohur nga Malësia e Tuzit.