Fest 64/ Savjana Vjerdha: Prita këngën e duhur për të marrë pjesë në festival. Ja 3 konkurrentët që më pëlqejnë më shumë

savjana

Savjana Vjerdha është një nga konkurrentet e reja të Festivalit të 64-të të Këngës në RTSH, duke prezantuar këngën e saj “Dimër për dimër dhe Vjeshtë për vjeshtë”. Kënga është orkestruar nga Klodian Qafoku, me tekst të Ilirian Zhupës dhe kompozim nga Ilir Dangellia.

Në emisionin “Në kohë në reale” në RTSH, Savjana ka treguar se është shumë e kënaqur me konceptin dhe poezinë që përcjell kënga, e cila sipas saj lidhet bukur me interpretimin e saj artistik.

Ajo shton se ka pasur më parë dëshirë të ishte pjesë e festivalit, por ka pritur momentin e duhur për të sjellë një këngë që e përfaqëson artistikisht.

“Më pëlqen koncepti dhe poezia e këngës, mesazhi që ajo përcjell dhe mënyra se si i shkon këngës, e orkestruar nga Klodian Qafoku, me tekst të Ilirian Zhupës dhe kompozim të Ilir Dangellisë. Kam pasur kërkesa më parë për të qenë pjesë e festivalit, por kam preferuar të marr pjesë vetëm kur të kem një këngë që më përfaqëson artistikisht. Sot bëhen shumë këngë, por shumica njihen për një periudhë të shkurtër, jo më shumë se një muaj. Unë kam bashkwpunuar me emra që kanë lënë gjurmë në botën e artit, dhe besoj se RTSH është një festival serioz që duhet të marrë vëmendjen e duhur”, tha ajo.

Ajo gjithashtu ka treguar se i pëlqejnë shumë këngët e konkurrentëve të tjerë si Alis, Rezarta Smaja dhe Rigersa Loka.