Fëmijët shqiptarë të Zvicrës në RTSH, nxënësit e Gjuhës Shqipe vizitojnë ambientet e medies publike
Radio Televizioni Shqiptar pati mysafirë të veçantë në këtë javë të parë të korrikut.
Të lindur në Zvicër nga prindër shqiptarë, fëmijë nga diaspora të klasave të 8-ta dhe të 9-ta, që mësojnë gjuhën shqipe, vizituan ambientet e televizionit.
Të surprizuar nga gjithçka që ndodh pas kamerave, nga televizioni që u sjell më afër Shqipërinë, shumë prej tyre patën dëshirë të improvizonin. Fillimisht në studion e lajmeve të RTSH 1…
“Mirë se vini në edicionin qendror nga diaspora. Jemi një grup nxënësish nga Zvicra. Jemi këtu në Shkollën Verore për të mësuar shqip në Shqipëri. Do të kënaqemi, sepse do të vizitojmë shumë vende. Vizituam Tiranën, kryeqytetin e shqiptarëve. Në ditët në vazhdim do të vizitojmë edhe Durrësin. Do të vizitojmë Krujën e Skënderbeut, po ashtu Shkodrën e Filip Shirokës, Gjergj Fishtës dhe Ndre Mjedës. Do të vizitojmë Vlorën heroike të Ismail Qemalit. Ne flasim shumë gjuhë, por gjuha jonë e zemrës është gjuha shqipe. Jemi të lumtur që jemi këtu,” recituan fëmijët secili nga një fjali njëri pas tjetrit, ndërsa e mbyllën njëzëri me shprehjen “Jam krenar që jam shqiptar”.
Agjencia Kombëtare e Diasporës dhe Qendra e Botimeve për Diasporën organizojnë programin shkolla verore “Jam shqiptar” përmes një turi disaditor në Shqipëri.
Ndalesa e parë në Tiranë ishte vizita në atraksionet turistike, por jo vetëm. Edhe në TV shqiptar me një histori 65-vjeçare.
Fëmijët patën mundësinë të përftonin nga afër ndjesi të veçanta, secili duke e parë në mënyrën e tij. Të shoqëruar nga 4 mësues të diasporës shqiptare në Zvicër, nxënësit panë disa nga studiot kryesore ku zhvillohen emisionet dhe të gjithë teknikën që vihet në dispozicion gjatë transmetimit.
Teksa ngjisin shkallët plot kërshëri dhe entuziazëm, hapat e tyre ndalojnë në një tjetër studio televizive, atë të RTSH 24, ku ndoqën nga afër transmetimin live të edicionit informative, dhe bisedën me një nga mësueset që shoqëron gjatë këtij turi.
Magjia e afrisë me të padukshmen nga ekrani shpesh shoqërohej edhe me habi nga ana e tyre. Përshtypja që la tek ata kjo vizitë në ambientet e RTSH-së bëri që shumë prej tyre të zgjasnin edhe më shumë kohën e qëndrimit, duke shkrepur foto pa fund si kujtim.
Dhe në fund të kësaj vizite mbresëlënëse bënë edhe një pushim të shkurtër në pedonalen përpara godinës së televizionit, pa ngurruar që forcimin e lidhjeve me vendin amë të na e tregonin edhe me vargje.
Në çdo festë në shtëpinë time,
kur këndojmë e bëjmë urime,
një gjë babi na e ka mësuar,
që nuk duhet kurrë harruar.
Një dolli e një nderim,
për heroin e vendit tim,
për ata që ranë për ne,
për këtë tokë e për atdhe.
Pra, sa herë feston shqiptari,
aty është Adem Jashari.
Mall ka plaku, gaz ka fëmija,
bac Adem, je vetë liria!
