“EXPO 24/25” nga studentët e arteve / Ekspozitë me punimet në grafikë, vizatim, multimedia, instalacion dhe fotografi

exspo 2525

Galeria e Arteve të Shkodrës mirëpriti ekspozitën e përvitshme studentore të artit pamor, një moment kulmor për studentët e degës “Pikturë dhe Grafikë”, pjesë e Fakultetit të Shkencave të Edukimit, Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi”.

Kjo ekspozitë vjen si një përmbyllje e vitit akademik dhe përmbledh punimet më të mira të studentëve në grafikë, vizatim, multimedia, instalacion dhe fotografi.

Përmes një game të gjerë tematikash, që variojnë nga trajtimet estetike e formale deri te përmbajtjet me thellësi sociale, psikologjike dhe reflektuese, ekspozita shndërrohet në një hapësirë dialogu me publikun.

Kjo ngjarje artistike është e para e një serie aktivitetesh me rastin e 10-vjetorit të formimit të Departamentit të Arteve.

 Synimi është jo vetëm të nxitet mendimi kritik e kreativiteti, por edhe të përforcohet roli i institucionit si hallkë e rëndësishme në zinxhirin e zhvillimit kulturor e artistik të qytetit.