Eurovision 2025, sonte Gjysmëfinalja e Dytë! Festivali ekskluzivisht në RTSH 1, Radio Tirana 1 dhe RTSH Muzikë

eurovision15

Gjysmëfinalja e Dytë e edicionit 69 të këngës europiane, Eurovision 2025, vjen sonte në orën 21:00.

16 shtete do të ngjiten sonte në skenë për të interpretuar këngët e tyre.

Gjatë natës së dytë nuk do të mungojnë surprizat e shumta dhe spektakli. Të ftuar specialë do të jenë 4 artistë, të cilët në Eurosongun e vitit 2020 nuk mundën të këndonin këngët e tyre për shkak të anulimit të festivalit si pasoje e pandemisë Covid-19.

Kjo mbrëmje, ashtu sikurse edhe Gjysmëfinalja e Parë e 13 majit, do të moderohet nga komediania dhe aktorja e njohur Hazel Bruger dhe përfaqësuesja e Zvicrës në Eurovizionin e vitit 1991, Sandra Studer. Dy bashkëmoderatoreve në finalen e 17 majit do t’u bashkohet edhe prezantuesja e spektakleve italiane, Michelle Hunziker.

Nga 16 këngë që konkurrojnë sonte vetëm 10 prej tyre do të kalojnë në finalen e madhe. Anglia,  Gjermania dhe Franca kalojnë automatikisht në finale nga shtetet që garojnë sonte, ndërsa për vendet e tjera pas përfundimit të interpretimit të artistëve do të hapet votimi për publikun dhe në fund të mbrëmjes do të mësojmë edhe 10 finalistët e dytë të kësaj gare.

Shtetet që konkurrojnë sonte janë Armenia, Australia, Austria, Greqia, Irlanda, Letonia, Lituania, Mali i Zi, Çekia, Danimarka, Finlanda, Gjeorgjia, Izraeli, Luksemburgu, Malta dhe Serbia. 

Gjysmëfinalja e 13 majit ishte një sukses për Shqipërinë, ku Shkodra Elektronike me këngën “Zjerm” u kualifikua për në finalen e 17 majit.

Gjysmëfinalja e Dytë dhe Finalja e 17 majit do të transmetohen ekskluzivisht në RTSH 1, RTSH Muzikë dhe Radio Tirana 1.