Eurovision 2025 – Ekskluzive! Stilistja Irina Dema tregon historinë pas fustanit të Beatriçes

“Shkodra Elektronike” vazhdon të magjepsë fansat e festivalit europian të këngës, teksa na ndajnë tashmë jo ditë, por orë nga çasti kur kënga “Zjerm” pritet të flakërojë në skenën e Eurovizionit.
Të martën, më 13 maj, Beatriçe Gjergji dhe Kolë Laca do të këndojnë shqip në Zvicër.
Për imazhin e Beatriçes në natën e madhe ka ndihmuar nëna e saj. Stilistja Irina Dema ka punuar për disa nga firmat më të mëdha në botë në fushën e modës dhe profesionin e saj e ushtron në Itali prej gati tri dekadash.
Në një intervistë ekskluzive për “Miqtë e Pasdites” në RTSH 1, stilistja e konsideron veshjen e vajzës së saj ndër punët më simbolike dhe shpirtërore.
“Fustani i Beatriçes është si Rozafa,” thotë ajo.
Me strukturë asimetrike, ngjyrë të kuqe të zjarrtë dhe detaje dramatike, fustani simbolizon trupin e Rozafës nga legjenda me të njëjtën emër, për të përcjellë një mesazh të fuqishëm për dashurinë, sakrificën dhe forcën e gruas shqiptare.
“E kam filluar duke e qëndisur me dorë me orë e orë të tëra. Çdo gur, çdo perlë… Copa e fustanit është blerë në Manhatan. Duhet të ishte rezistente, sepse Beatriçja edhe kërcen. Duhet një fije shumë e fortë, që t’i rezistojë lëvizjeve të saj,” tregon znj. Dema.
Me gjithë sfidat e punimit me dorë, fustani e këngëtares shqiptare posaçërisht për Eurovizionin ka ndërthurur disa elemente. Të gjitha kanë për qëllim të transmetojnë mistikën e legjendës shkodrane, një pjesë të historisë së qytetit.
“Fundi është bërë në formën e zjermit, që shpërthen te pjesa e fundit. Edhe mënga ka karakteristikën e saj, sepse duhet të japë idenë e zjermit. E gjitha komplet e manovrueshme dhe duhet të jetë e lehtë për skenën. Shihet si fustan dhe tutë në të njëjtën kohë. E ndërthurur,” shprehet nëna e Beatriçes.
Edicioni i 69-të i garës së madhe muzikore europiane do të zhvillohet për tri ditë radhazi në Bazel të Zvicrës, duke nisur nga 13 maji, ndërsa finalja e madhe do të mbahet të shtunën, më 17 maj.