Europa përfshihet nga të nxehtit ekstrem, temperaturat pritet të kulmojnë të martën dhe të mërkurën

i nxehti

Europa Jugore po përballet me një valë të të nxehtit ekstrem, çka ka bërë që autoritetet të lëshojnë paralajmërime për rreziqe shëndetësore dhe zjarre, ndërsa temperaturat pritet të rriten akoma më shumë në ditët e ardhshme.

Franca, Italia, Portugalia dhe Spanja kanë disa ditë që janë nën kthetrat e të nxehtit, ku termometri ka shkuar deri në 44 gradë Celsius në disa vende.

“Kjo është e paprecedentë,” u shpreh ministrja franceze e Tranzicionit të Ekologjisë, pasi 84 nga 96 departamente të Francës u vunë nën alarm portokalli, niveli i dytë më i lartë i alarmit përsa i përket të nxehtit.

Sipas shërbimit meteorologjik francez, vala e të nxehtit pritet të arrijë kulmin të martën dhe të mërkurën.

Autoritetet e vendeve që shtrihen përgjatë bregut verior të Mesdheut u kanë kërkuar qytetarëve të tyre të tregojnë kujdes dhe të marrin masa për shmangien e situatave të rënda të shkaktuara nga i nxehti. Ambulancat janë dislokuar pranë destinacioneve turistike.

Forcat zjarrfikëse ndërkohë u angazhuan për shuarjen e zjarreve që goditën të dielën Francën dhe Turqinë. Edhe Greqia po përballet me zjarre që kanë çuar në evakuime.

Shërbimi meteorologjik i Spanjës u shpreh se të dielën temperaturat kishin shkuar në 44 gradë Celsius në Estremadura dhe Andaluzi, në jug dhe jugperëndim të vendit.

Në Itali, 21 qytete u vunë nën nivelin më të lartë të alarmit për të nxehtin ekstrem, përfshirë Milanon, Napolin, Firencën, Romën dhe Katanian.

Shkencëtarët thonë se ndryshimet klimatike po shkaktojnë valë të të nxehtit me temperatura që vetëm rriten dhe që po bëhen gjithnjë e më të shpeshta, veçanërisht në qytetet ku i ashtuquajturi “efekti i të nxehtit urban” shton temperaturat mes ndërtesave të ngritura shumë pranë njëra-tjetrës.