Euroliga në RTSH: Milano bën “harakiri” në minutat e fundit
Crvena Zvezda ka fituar një ndeshje të pabesueshme në Milano duke e përmbysur rezultatin në minutat e fundit dhe duke e fituar 96-104, ndeshje e vlefshme për javën e 22-të të Euroligës. Takimi nisi me shkëputjen e parë të Crvena Zvezdës deri në 7 pikë avantazh.
Milano futet me një ritëm shumë të mirë më tej dhe arrin ta kthejë duke marrë avantazhin e duke kontrolluar gjithçka sidomos në periodën e dytë ku dhe doli në avantazh deri në 10 pik. Në pushim të ndeshjes, trajneri i Zvezdës, Sasha Obradovic do deklaronte se skuadrës së tij duhet ti ndryshonte sjellja në fushë për ta kthyer këtë ndeshje.
Në fakt perioda e tretë nis me shumë grintë për serbët por Milano me anë të Shields i përgjigjet menjëherë dhe merr nën kontroll lojën duke e çuar avantazhin deri në 13 pikë falë edhe disa trepikëshave të njëpasnjëshëm.
Por në pushim trajneri i Milanos, Bepe Poeta thotë diçka që më pas do të rezultojë e vërtetë, djemtë e tij po mendonin shumë për sulmin dhe po harronin mbrotjen.
Sapo nis perioda e katërt, Milano udhëheq me 12 pikë, por ndodh ajo që trajneri i tyre kishte frikë, skuadra nuk shënon më, ndërsa Zvezda vijon të shënojë njësoj si më parë madje duke e shtuar presionin. Vjen kapërcimi i parë 83-85 pas një parciali 1-15 në favor të Zvezdës.
Më tej luhet pikë më pikë në të dy krahët por për Milanon shënuesi më i mirë, Shields del me 5 personale kur mbeteshin dhe 3 minuta nga fundi. Aty gjithçka bëhet më e qartë për Zvezdën që marrin avantazhin dhe nuk e humbasin më deri në fund duke e fituar këtë transfertë të vështirë me një përmbysje të pamendueshme. Crvena Zvezda me këtë fitore mban vendin e 10-të, ndërsa Milano qëndron në vend të 11-të.
